Bëni një grevë urie për Gersin, Rein, Flavion, Anxhelën...
Binjakët 3-vjeçarë, Gersi dhe Rei Osmani,të mbytur në liqenin e Farkës, 6 mars 2008. Flavio Deliu, 4 vjeç, vrarë mesditën e 15 marsit 2008, ndërsa lodronte mbi biçikletën e tij, në një shtëpi fshati, 20 kilometra larg Tiranës, në Gërdec. Klara Jaho, 3 muajshe dhe Ndriçim Myftari 18 vjeç, mbytur natën e 20 tetorit, në liqenin e Butrintit. Anxhela Dalani, 13-vjeçare, vrarë mesditën e 10 nëntorit 2008, teksa thurte ëndrra në shtëpinë e saj modeste 250 kilometra në jug të Tiranës...
Një listë e zezë që zgjatet pa fund me fëmijë të zhytur në lumturinë e tyre të thjeshtë, të cilëve iu prenë mizorisht jetët e panisura. Ishin fëmijë të shtetasve të respektuar anekënd vendit, që në apelin e Tiranës zyrtare ishin fëmijët e dikujt. Që duhet të kishin vijuar jetën e tyre, të thjeshtë, me prindër të zakonshëm, për t’u bërë nesër kushedi. Por që tragjikisht nuk patën të nesërme.
Një listë që, për fat të keq, do të vijojë të mbushet me funde të hidhura, tragjike, që nuk prekin, asnjë nerv njerëzor të atyre që kanë jo vetëm një emër, por për fat të keq kanë në dorë jetët e prindërve dhe të fëmijëve të tyre. E tregojnë zhvillimet e orëve të fundit të pastragjedisë më të fundit, që ndodhi në Gjirokastër. Nuk ka as ndjesë dhe as pikëllim njerëzor që mund të pritet të vijë nga “atje lart”, prej atyre që u bënë dikushi në këtë vend, për të patur në dorë edhe fatet e Gersit, Reit, Flavios, Anxhelës.. Loja antinjerëzore është sërish në duart e politikës për të bërë spektaklin vrasës politik të radhës, për të përdorur viktimat dhe për të viktimizuar kundërshtarët.
Plagët e krimit shtetëror ende nuk janë mbyllur në Gërdecin e pashoq, të një vendi ende të traumatizuar, ndërsa Kryeministri e përdor pacipërisht toponimin si një kalë beteje për luftën “kundër krimit dhe korrupsionit”. Dheu ende nuk ka zënë vend mbi varrin e Anxhelës së pafajshme, ndërsa kryetari i bashkisë përbetohet se nuk do të japë dorëheqje. Një dyzinë deputetësh, prej shumë orësh janë futur në një grevë urie, “kundër një padrejtësie të madhe që u është bërë”.. Disa dhjetëra përkrahës bënin tifo dje për këtë grevë urie. Sigurisht kanë të drejtën e tyre të protestës dhe të aksionit politik. Por kushedi sa e madhe do të ishte turma, sikur këta deputetë të ishin në grevë urie me një mision tjetër më të madh, edhe më njerëzor edhe më elektoral: të mbronin të ardhmen, jetët e fëmijëve të këtij vendi..
Disa prej atyre “atje lart” janë jo vetëm dështakë politikë, por njëkohësisht të shkatërruar nga dështimet e tyre prindërore dhe familjare. Ndoshta edhe për këtë, kanë humbur çdo ndjesi njerëzore duke ngritur përditë bizneset e tyre milionere mbi fatkeqësitë njerëzore, me viktima prindërit dhe ata, vocërrakët që s’janë më, fëmijët e askujt...
Ndaj nxitojnë t’i mbyllin dhe t’i arkivojnë shpejt tragjeditë me prindërit dhe fëmijët e këtij vendi. Por asgjë nuk harrohet. U nxitua të mbyllet Gërdeci, por nuk mund të harrohet 4-vjeçari Flavio. U arrestuan ca trafikantë, por nuk të shqitet nga kujtesa arkëmorti i vockël i Klarës 3-muajshe. Po rrëzohet pallati i mbetur, por nuk do të harrohet fytyra e qeshur e Anxhelës. Edhe pse për pushtetin, ata ishin fëmijët e askujt.