Ish-ushtarakët pa pension suplementar
Ministri i Mbrojtjes Oketa: Edhe babai im është i pakënaqur nga pensioni
TIRANË- Ish-ushtarakët e të gjitha kategorive, të dalë në rezervë apo në pension edhe gjatë vitit 2009, nuk do të mund të marrin trajtimin suplementar nga sigurimet shoqërore. Pavarësisht vendimit të 2007-ës, të Gjykatës Kushtetuese për trajtimin e barabartë të të gjithë ish-ushtarakëve me pensione suplementare, qeveria as për vitin e ardhshëm nuk ka parashikuar asnjë lek për trajtimin e kësaj kategorie. Ministria e Financave dhe ajo e Mbrojtjes kanë deklaruar dje gjatë diskutimit të projekt-buxhetit të vitit 2009 në komisionin parlamentar të Sigurisë Kombëtare, se trajtimi me pensione suplementare i ish-ushtarakëve nuk do të kryhet, pasi nuk ka ende një ligj në zbatim.
Komisioni
Komisioni parlamentar i Sigurisë Kombëtare ka miratuar me shumicë votash projekt-buxhetin për vitin 2009, për institucionet që janë pjesë e sistemit të sigurisë kombëtare, dhe konkretisht atë të Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Rendit dhe Shërbimit Informativ Kombëtar. Përveç titullarëve të këtyre institucioneve, në mbledhjen e djeshme kanë qenë të pranishëm dhe përfaqësues të shoqatave të ish-ushtarakëve të dalë në pension, të cilët kanë kërkuar shpjegime nga Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, dhe drejtoresha e Buxhetit në Ministrinë e Financave, Mimoza Dhembi, në lidhje me parashikimet që bëhen në këtë projekt-buxhet për trajtimin financiar të ish-ushtarakëve. “Ministria e Mbrojtjes ka tre vjet rresht që nuk ka zbatuar ligjin e vitit 2005, aq më tepër ligjin 2006 për sigurimet shoqërore suplementare të ushtarakëve, në të cilin përfshihen dhe ushtarakët në pension të para vitit 1991. Cilat janë arsyet dhe çfarë parashikohet?”, - tha kreu i shoqatës së ish-ushtarakëve të dalë në pension përpara vitit 1991, Dhimitër Ndrenika, duke iu drejtuar dikastereve përgjegjëse për këtë çështje. Lidhur pikërisht me këtë pyetje, drejtoresha e Buxhetit, Mimoza Dhembi, ka shpjeguar se, përsa kohë ligjit të vitit 2006 i janë shfuqizuar 3 nene nga Gjykata Kushtetuese, ai nuk mund të zbatohet dhe, për rrjedhojë, as nuk mund të parashikohet asgjë në këtë drejtim. Megjithatë ajo ka sqaruar se fondi për pensionet suplementare nuk mund të parashikohet si një zë i veçantë në projekt-buxhetin e shtetit, pasi ato janë pjesë buxhetit të Ministrisë së Mbrojtjes. “Fakti që tre nene u bllokuan në zbatim, krijoi një kosto suplementare të këtij ligji, pasi vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte që këto të drejta të përfitoheshin nga të gjithë ushtarakët, pa dallim kohor. Gjykata vendosi që të mos kishte dallime kohore, kështu që kostoja e zbatimit të tij u shumëfishua. Kjo bëri që ky ligj të rishikohej në tërësi. Kjo ka qenë arsyeja pse nuk është zbatuar ky ligj”, - tha Drejtoresha Dhembi. Gjithashtu ajo ka deklaruar se kjo çështje do të gjejë zgjidhje në një ligj të përbashkët që Ministria e Financave, Ministria e Mbrojtjes dhe Insituti i Sigurimeve Shoqërore, ka hartuar dhe që pritet ta kalojë në qeveri për të gjitha kategoritë që përfitojnë nga statusi i veçantë, siç janë ish-gardistët, ish-policët e burgjeve etj.
Ministri
Ndërkohë që përfaqësuesja e Ministrisë së Financave ka qenë disi diplomatike në përgjigjen e saj lidhur me këtë problem të ngritur nga ish-ushtarakët, Ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa, ka qenë i drejtpërdrejtë në qëndrimin e vet, duke deklaruar se çështja e pensioneve suplementare nuk është në axhendën e problemeve që duhet të zgjidhë kjo ministri. Sipas tij, problemet që kanë sot kjo kategori janë probleme edhe të të gjithë pensionistëve, pavarësisht nëse kanë qenë ushtarakë ose jo. “Ushtarakët e dalë në pension përpara vitit 1991, kanë të njëjtin problem si edhe im atë që nuk ka qenë ushtarak, por që kur vjen puna tek pensioni edhe ai ndjehet që nuk ka marrë atë që ka dhënë. Pra mund të themi se këto çështje janë paksa jashtë rendit të ditës”, - tha Oketa, por duke mos bërë të qartë nëse për vitin 2009 do të ketë një fond të parashikuar për trajtimin e kësaj shtrese. Ndërkohë që kjo ministri pritet të djegë edhe fondin prej 30 milionë dollarësh të programuar për pensionet suplementare për vitin 2008.
Buxheti, Oketa: Fond edhe për demontimin e armëve
TIRANË- Viti 2009 parashikohet që të jetë viti i modernizimit të infrastrukturës së ushtrisë shqiptare për ta bërë atë një forcë të denjë për të qenë pjesë e Aleancës së Atlantikut të Veriut. Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, ka deklaruar dje se me buxhetin e parashikuar për vitin 2009 kjo ministri ka parashikuar, së pari, që të rrisë në mënyrë të ndjeshme zërin për investime në infrastrukturë, duke synuar arritjen e një standardi që sot e kanë vendet e tjera të NATO-s. Kështu, afro 2 miliardë lekë të rinj janë parashikuar që të përdoren për blerjen e helikopterëve të rinj, ndërsa afro 700 milionë lekë të tjera për blerjen e anijeve patrulluese. “Investimet janë orientuar edhe në drejtim të modernizimit të infrastrukturës dhe që synon që forcat e armatosura të kenë nën administrimin e tyre ato pasuri që janë të nevojshme për plotësimin e qëllimit të tyre. Ky fond shkon kryesisht në blerje helikopterësh në një shifër prej 2.05 miliardë lekësh, për anijet patrulluese në një shifër 780 milion lekë, blerjen e mjeteve motorike, mjeteve të transportit etj”, - tha Oketa. Një tjetër objektiv për të cilin pritet të shpenzohen jo pak lekë është edhe trajtimi i ushtarëve profesionistë dhe për demontimin e municioneve të panevojshme. Lidhur pikërisht me këtë të fundit ai ka bërë të ditur se në ditët në vijim do të fillojnë investimet për modernizimin e dy uzinave të Mjekësit dhe Poliçanit me një teknologji që do të krijonte kushtet e sigurta për demontimin e armëve. Ai ka folur edhe për realizimin e buxhetit të vitit 2008, ku ka pranuar se për shkak të tragjedisë së Gërdecit, kjo ministri mori një goditje jo të vogël që ndikoi së tepërmi në realizimin e disa objektivave që ishin parashikuar. Pavarësisht asaj që ndodhi në Gërdec, ministri i Mbrojtjes ka siguruar se demontimi do të vijojë dhe nga ky proces, ministria parashikon që të realizojë një fond të veçantë, i cili do të mbushet me të ardhurat nga shitja e skrapit.
--------------------------------------------------------------------------Bahri Shaqiri tha se nuk plotësohen të gjitha nevojat që ka ky shërbim për të kryer detyrën
SHISH: S’kemi fonde për rritjen e sigurisë kombëtare
TIRANË- Vetëm 8 muaj pas tragjedisë së Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona, qeveria ka harruar premtimet për përmirësimin e sistemit të sigurisë kombëtare, si një masë që do të parandalonte përsëritjen e një ngjarjeje të tillë. Një fakt i tillë duket pikërisht në projekt-buxhetin e vitit 2009, ku për institucionet që e përbëjnë këtë sistem, kryesisht për Shërbimin Informativ Shtetëror (SHISH), nuk është parashikuar pothuajse asnjë shtesë fondi e konsiderueshme që mund të sjellë dhe ndryshimin cilësor në funksionimin e tij. Vërejtjet janë bërë dje nga drejtori i SHISH-it, Bahri Shaqiri, gjatë një mbledhje me dyer të mbyllura, të zhvilluara në Komisionin parlamentar të Sigurisë Kombëtare, ku dhe ka lexuar një material shkresor të klasifikuar. Burime pranë këtij komisioni kanë bërë të ditur se drejtori i SHISH-it ka vlerësuar se, pavarësisht rritjeve që i janë bërë buxhetit të këtij institucioni, përsëri nuk arrihen të plotësohen të gjitha nevojat që ka ky shërbim për të kryer detyrën e tij të garantimit të sigurisë kombëtare. Kështu, mësohet se, Shaqiri, ka evidentuar si problematik çështjen e survejimit të kufijve dhe parandalimit të trafikut apo edhe emigrimit të paligjshëm. Duke iu referuar pikërisht detyrave dhe angazhimeve të qeverisë shqiptare për të rritur efikasitetin në këtë drejtim në kuadër të masave që do të sillnin liberalizimin e vizave me BE-në, drejtori i SHISH-it ka kërkuar një trajtim më të mirë financiar për rritjen e numrit të punonjësve që do të shërbenin në këtë drejtim. Një kërkesë tjetër e bërë prej tij ka qenë edhe ajo për akordimin e një fondi të veçantë prej 1 milionë eurosh, për blerjen e aparaturave dhe pajisjeve që do të shërbenin për përgjimet dhe përpunimin e të dhënave të klasifikuara, për të cilën duket se ka gjetur edhe mbështetjen e komisionit parlamentar të sigurisë. Ndërkohë, Shaqiri, ka ngritur edhe një problem tjetër që lidhet me kryerjen e tenderave për blerjen e materialeve mbështetëse si karburant, makina, mjete kancelarike, etj. Sipas të njëjtave burime mësohet se shqetësimi i tij ka pasur lidhje pikërisht me faktin se ende tenderat për blerjen e këtyre pajisjeve kryhen nga Ministria e Brendshme. Kjo, sipas tij, ka shkaktuar vonesa në realizimin e tenderave, duke sjellë për pasojë dhe mungesën e karburantit apo edhe mjeteve kancelarike për pjesën e fundvitit dhe atë të fillimvitit të ardhshëm.