E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koha e Njih vetveten

Pse më “bredh” mendja te filozofët nëpër shekuj? Se ma nxit vetëdija profesionale? Se mendimi racional i të djeshmes, i jep shtysë të sotmes? Se “pellgje” ujërash të ndotura të së djeshmes krijojnë mjedise për mbijetesë “bacilesh” që shkaktojnë temperatura të larta të së sotmes? Se segmente të veçanta të shoqërisë janë të “sëmura”? Se, në tërësi, mbretëria e arsyes nëpër shekuj, i jep shëndet prirjes për proges? Se…

Po. Për secilën syresh, nga filozofët nëpër shekuj, janë shkruajtur vëllime të tëra, por në këto radhë do të bëj përpjekje të ndalem në ato “plagë” që i mendoj të tilla e që “mjeku” filozof ka dhënë këshilla të nevojshme për t’i “mjekuar”.

Sokrati, që njihet edhe sot martiri i së vërtetës, ka këshilluar bashkëkombasit, pse jo dhe ne sot, të njohim vetveten. “Për hetimim e durueshëm të së Vërtetës dhe të së Mirës, për thjeshtësinë që e pengonte të tregonte tërë diturinë që zotëronte dhe për parimin e tij të famshëm: “Njih vetveten!”…Sokrati u kthye në një model të madh për shumë filozofë…” (Edmund Jokoby “Filozofët”, faqe 27).

Dhe ky parim, “Njih vetveten”, ka bërë udhë nëpër shekuj, ka vënë në lëvizje mendimin e personaliteve shkencore, ka vënë para “pasqyrës” së realitetit mbretër, princër, kryeministra, ministra, deputetë e parlamente; por mbi të gjitha ka progresuar mendimit e veprimit, e shtresave, komuniteteve, partive e sidomos popujve. Kur mendimi ka arritur te njohja e realitetit të vetvetes, i është hapur udha progresit pozitiv.

Kur një shoqëri pasqyron drejt realitetet e saj, me mangësitë e me arritjet, atëhere ajo merr masa për ta ndryshuar gjendjen. Dhe, siç thekson Habermas, vetëdija mund të ndryshohet pa qenë e nevojshme një tronditje e përgjithshme e shoqërisë; një zhvillim demokratik pa revolucion do të ishte i mundshëm. Të mundshme u bënë, p.sh., kalimet e ish-vendeve diktatoriale, mes tyre dhe vendi ynë, në demokraci. Por, zhvillimeve demokratike, u hap rrugë ajo arsye që vë në levizje ndjenja, emocione e deri instikte pozitive. Arsyeja e gjykimi i shëndetshëm që rrjedh nga një pasqyrim i drejtë e i saktë i realitetit natyror e shoqëror, nxit e vë në lëvizje ndershmëri, urtësi, dashuri, guxim, vullnet… ; ndërsa një gjykim i shtrembër, sidomos ai që vjen nga interesa të ngushta familjare e klani, nxit arrogancë, agresivitet, prepotencë, dredhi, hile, … Nuk po e vërejnë këtë gjë si në dritën e diellit në shoqërinë tonë, sidomos në segmente të veçanta të klasës politike? Nuk po e neverisin qytetarët tanë qëndrimin arrogant, prepotent e bajraktar të liderit të pozitës? Agresiviteti, sharja, prepotenca janë tregues i të dobëtit ndaj të fortit, i arsyes që i dalin nga kontrolli ndjenjat dhe emocionet negative.

Individi gjykon drejt kur lëviz për te e verteta dhe ajo është e tillë, kur i shërben, siç arsyeton me të drejtë pragmatizmi, sa individid aq dhe shoqërisë. “Unë, theksoi Obama në Chicago, nuk do të jem një president i përsosur, por mund t´ju premtoj këtë: “Do të jem gjithmonë i ndershëm, duke thënë atë që mendoj dhe se ku precizohem”. Duke e gjykuar ashtu siç është realitetin amerikan, me arritjet por dhe me dobësi e të meta, me progres por edhe me kriza e dhembje, me ndërhyrje të drejta, por edhe të gabuara…me të drejtë kjo fushatë elektorale u nominua “fenomeni Obama”, jo vetëm nga analistë vendas, por edhe nga analistë progresistë të mbarë botës.

Nga gjykime e arsyetime të shëndetshme, kundërshtarët alternativë dinë të ruajnë barazpeshën në kritikë, ekuilibrin dhe bashkëpunimin mes tyre, kur e kërkojnë interesa të përbashkëta kombëtare e më tej. Fushata elektorale Obama – McCain, që përbën model për botën e qytetëruar, kërkon nga të gjithë një politikë të re, një politikë që del nga korridoret e ngushta të së djathtës e të së majtës. Për politikën e re ka vetëm praxis krijues, nëpërmjet të cilit shtojnë një pjesë risie në botë. Dhe risia nuk lind në vend bosh.

Sot jetojmë në një botë që, gjithnjë e më shumë po bëhet më e “vogël”, për hir të teknikës, teknologjisë e shkencës; por edhe në një botë me kriza, trazira e dyshime që kërkojnë bashkëveprim e besim reciprok. Ndaj sot është e domosdoshme të bashkëveprojmë më mirë se deri tani me njëri-tjetrin, të këmbejmë vlera. Ne sot kemi nevojë, siç thotë Barroso, për një marrëveshje të re në një botë të re.

Dhe kur Obama thekson se nuk ka amerikanë të majtë e amerikanë konservatorë, amerikë të zezë e të bardhë, por ka Shtete të Bashkuara të Amerikës; pse disave u duket paradoks dhe e papranueshme teza: “përtej interesave partiake”, hedhur sot nga lidershipi i PS-së? Përse disa e quajnë të papranueshme kërkesën e një politike të re, kur ajo po itroket me forcë shoqërisë tonë?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›