E Diel, 1 Nëntor 2026

Bënin xhiro me makinë para shtëpisë, 2 të plagosur gjatë sherrit me thika

 

TIRANE - Përplasje me thika në Kashar, dy kushërinj mbetën të plagosur, ndërsa policia arreston autorin e krimit. Alban dhe Flamur Hajdari, 18-vjeçarë banues në Kashar, kanë mbetur të plagosur pasditen e të mërkurës në fshatin e tyre, pas një konflikti me Latif Kamberin. Policia e Komisariatit nr.6 ka arrestuar pas pak minutash autorin e dyshuar të krimit, Kamberin, gjithashtu 18-vjeçar. Ngjarja është bërë e ditur për gazetën “Panorama” nga burime të policisë së Komisariatit nr.6. Sipas tyre, krimi ka ndodhur pas një konflikti banal mes adoleshentëve. Sipas burimeve të policisë, konflikti ka nisur kur dy kushërinjtë Hajdari kanë debatuar me Kamberin, pse ai xhironte gomat e automjetit të tij. Në përplasje e sipër mes tyre, Kamberi ka nxjerrë një thikë dhe ka qëlluar në drejtim të kushërinjve Hajdari. Të dy ata kanë mbetur të plagosur rëndë në bark dhe në shpinë dhe janë dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak në kryeqytet. Pas ndërhyrjes së mjekëve, ata kanë arritur të dalin nga rreziku për jetën. Ndërkaq policia pas marrjes së informacionit dhe zbardhjes së ngjarjes ka arrestuar edhe autorin e krimit me akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë ndaj dy personave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›