Ripyetet gruaja e Trebickës, 90 minuta dëshmi për vdekjen
Trazhgim Sokolaj
Gruaja e biznesmenit të vdekur Kosta Trebicka, dëshmon për herë të dytë para prokurorëve, lidhur me ngjarjen ku humbi jetën bashkëshorti i saj, dëshmitar i dosjes “Gërdeci”. Për rreth 90 minuta, Brunilda Trebicka ka rrëfyer para një prokurori dhe një hetuesi të Korçës, nëse ka mësuar ndonjë fakt me interes për hetimin pas ngjarjes, ku humbi jetën bashkëshorti i saj. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare, sipas të cilave gruaja e shqiptaro-amerikanit 52-vjeçar ka dhënë deklarime për prokurorët në banesën e saj në Tiranë. Me urdhër të institucionit të akuzës në Korçë, një prokuror dhe një hetues kanë udhëtuar mëngjesin e të mërkurës, tri ditë më parë, në drejtim të Tiranës. Ata kanë shkuar pak para mesditës në banesën e familjes Trebicka, ku fillimisht kanë pasur një bisedë njerëzore me të shoqen e biznesmenit të vdekur. Më pas, prokurorët e kanë pyetur të shoqen e Trebickës nëse gjatë këtyre ditëve ishte vënë në dijeni të ndonjë fakti, dyshimi apo prove që mund të hidhte dritë mbi vdekjen e dëshmitarit të dosjes “Gërdeci”. Sipas burimeve nga hetimi, mësohet se bashkëshortja e afaristit të vdekur, është shprehur se nuk ka asgjë për të shtuar nga deklarimet, që ka dhënë në policinë e Korçës një ditë, pasi Kosta Trebicka u gjet i vdekur në zonën e Lekasit, 6 km larg Voskopojës. Ajo ka rikonfirmuar deklarimet e dhëna në Korçë, duke treguar për momentin e nisjes së Trebickës për gjueti, telefonatat që bashkëshortët kanë zhvilluar më 11 dhe 12 shtator dhe konfirmimet në këto biseda telefonike nga vetë 52-vjeçari se ndodhej i vetëm për gjueti në Voskopojë. Gjatë komunikimit të saj me përfaqësuesit e akuzës, gruaja e Trebickës u ka thënë atyre se nuk ka asnjë dyshim për ngjarjen dhe se shkaqet e vdekjes së bashkëshortit të saj po pret t’i mësojë nga hetimi, duke kërkuar që në përfundim të investigimit edhe asaj t’i bëhen të ditura shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes që ka ndodhur me të shoqin. Organi i akuzës tha se një kërkesë e tillë parashikohet në ligj dhe se do të përmbushet në përfundim të hetimeve. Pas një qëndrimi prej rreth 90 minuta, prokurori dhe hetuesi i Korçës janë larguar nga shtëpia e Kosta Trebickës. Burimet zyrtare nga organi i akuzës, thanë se vendimi për të rimarrë në pyetje gruan e afaristit që gjeti vdekjen më 12 shtator 2008, nuk është ndikuar prej ndonjë prove konkrete. “Në vazhdim të hetimeve është menduar të merret kontakt me gruan e të ndjerit dhe të kërkohet prej saj, nëse gjatë kësaj kohe ka mësuar të dhëna, që mund të ndihmojnë hetimin apo është kujtuar për fakte, që nuk i ka përmendur në dëshminë e parë, që ka thënë në policinë e Korçës”, thanë burimet nga Prokuroria.
Hetimi për vdekjen e dëshmitarit, pret fjalën e fundit nga amerikani
TIRANE – Instituti i Mjekësisë Ligjore ka nisur në drejtim të Prokurorisë së Korçës, e cila po heton vdekjen e Kosta Trebickës, raportin përfundimtar të autopsisë. Rreth orës 10:00 të ditës së djeshme raport-autopsia e plotë është dërguar në adresë të organit të akuzës, që po heton vdekjen e dëshmitarit të dosjes “Gërdeci”. Megjithatë, organi i akuzës duket se nuk është mjaftuar vetëm me konstatimin e mjekëve ligjorë për vdekjen e Kosta Trebickës si pasojë e një politraume të shkaktuar nga aksidenti automobilistik. Sipas Prokurorisë, ajo që do të thotë fjalën e fundit për këtë ngjarje dhe që do të merret për bazë në përmbylljen e dosjes, do të jetë raport-ekspertiza e specialistit të policisë amerikane të Virxhinias mbi makinën e Kosta Trebickës, vendin e ngjarjes dhe mekanizmin e dinamikën e asaj që ka ndodhur. Eksperti amerikan megjithatë, ende nuk ka thënë fjalën e tij për shkak se është larguar nga SHBA bashkë me provat e të dhënat që ka marrë gjatë matjes në vendin e ngjarjes dhe këqyrjes së makinës. Ai pritet që bashkë me dy ekspertë shqiptarë të zbardhë mekanizmin e ngjarjes dhe të riprodhojë skenën si ka ndodhur ajo. t.s