Pronat në Farkë,bllokohet kadastra
TIRANE – Prokuroria e Tiranës sekuestroi dje Zyrën e Kadastrës në komunën e Farkës për llogari të hetimeve për abuzimin, vjedhjen dhe mbivendosjen e pronave në këtë komunë. Lajmi është konfirmuar nga burime zyrtare të Prokurorisë së Tiranës, Zyra Task-Forcë e së cilës prej disa muajve është duke hetuar mbivendosjen dhe vjedhjen e trojeve të tokave në komunën e Kasharit, por edhe në Dajt e në Petrelë. Sipas burimeve nga organi i akuzës, dy hetues të këtij institucioni së bashku me një prokuror, kanë shkuar ditën e djeshme nëkKomunën e Farkës dhe kanë bllokuar aty zyrën e kadastrës. Kjo zyrë është vendosur “në kyç” me qëllim që prokurorët dhe hetuesit të bëjnë verifikime mbi gjendjen e dokumentacionit të pronave pa pasur ndërhyrje apo manipulime nga persona të jashtëm. Hetuesit e Njësisë Task-Force në Prokurorinë e Tiranës, menjëherë pasi i kanë vënë “kyçin” kadastrës ku ndodhen të gjitha dokumentet e të dhënat e pronave në zonën e Farkës, kanë vendosur të bllokojnë edhe dokumente të tjera. Sipas hetuesve, mësohet se janë sekuestruar certifikatat dhe vërtetimet e pronësisë që janë dhënë nga komuna e Farkës përgjatë tre viteve të fundit, me qëllim verifikimin e tyre e më pas ekspertimin shkencor me qëllim zbulimin e falsifikimeve nëse janë kryer të tilla. Prokuroria e Tiranës ka marrë më tepër se 44 kallëzime penale nga banorë të ndryshëm dhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për abuzime me pronat dhe trojet e tokës në periferi të kryeqytetit. Si pasojë e këtyre kallëzimeve, disa muaj më parë, prokuroria filloi hetimet për këtë çështje. Nga të dhënat e akuzës, por edhe nga kallëzimet penale, rezulton se vjedhja dhe mbivendosja e trojeve është kryer përmes abuzimit me dokumentacionin. Për këtë shkak, Prokuroria ka bllokuar kadastrën e Farkës, me qëllim zbulimin e të gjitha dokumenteve me të cilat është abuzuar dhe identifikimin e firmëtarëve të tyre.