E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet me 9 kile kokainë shkrimtari Zyhdi Morava

 

Zyhdi Morava, ish-kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe personazh i njohur i letrave shqipe, arrestohet në Itali me 9 kilogramë kokainë në makinën e tij. Shkrimtari i njohur Morava, është prangosur në zonën e Berneros pranë qytetit verior italian të Bolzanos, kur në automjetin e tij është evidentuar lënda narkotike e jashtëligjshme. Policia tha se në momentin e arrestimit, shkrimtari shqiptar ishte duke udhëtuar nga veriu i Italisë në drejtim të jugut të vendit. Lajmi është bërë publik dje nga agjencia italiane e lajmeve ANSA.it. “Shkrimtari i njohur shqiptar Zyhdi Morava, 62 vjeç, u arrestua në Brenero me afërsisht 9 kilogramë kokainë”, thuhej në lajmin e publikuar nga ANSA, mbrëmjen e djeshme. Sipas burimeve të policisë, të cilave u referohet agjencia italiane, shkrimtari shqiptar Zyhdi Morava e kishte fshehur lëndën narkotike në brendësi të dyerve të automjetit të tij. Në momentin e kontrollit policor, automjeti i 62-vjeçarit Morava ka qenë i rimorkiuar në një karroatrec. Por ky fakt nuk i ka penguar efektivët antidrogë të policisë italiane të ushtrojnë një kontroll të imtësishëm mbi makinën e shkrimtarit shqiptar. Burimet e mësipërme bënë të ditur se shkrimtari, që për disa kohë mbajti edhe drejtimin e Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, ishte nisur pak ditë më parë nga vendet e ulëta në drejtim të Italisë. Ndërkohë që gjatë kalimit në Gjermani, automjeti i 62-vjeçarit kishte pësuar një defekt të rëndë mekanik, çka e ka bërë krejtësisht të pamundur vazhdimin e rrugës nga Morava me makinën e tij. Me sa duket, i gjendur në këto kushte, shkrimtari e ka vazhduar rrugëtimin drejt Italisë duke e rimorkiuar autoveturën në një karroatrec. Itinerari që duhej të përshkruante shkrimtari shqiptar, tashmë i akuzuar për trafik ndërkombëtar kokaine, përfshinte disa shtete, nga Gjermania në Austri e më pas në Itali. Lëvizja në këtë itinerar e makinës së vendosur në karroatrec duket se ka krijuar dyshime tek policia në hyrje të Italisë. Agjentët kufitarë kanë vendosur të ushtrojnë kontroll të imtësishëm në automjetin e shqiptarit dhe më pas, në pjesën e brendshme të dyerve të makinës kanë arritur të gjejnë pakot, ku ndodhej plot 9 kilogramë kokainë. Policia italiane nuk bëri të ditur nëse lënda narkotike i përkiste shkrimtarit apo ai ishte vetëm transportuesi i kokainës. Gjithashtu nuk dihet nëse shteti italian ishte stacioni fundor i ngarkesës së jashtëligjshme, apo shkrimtari do të vazhdonte më tej itinerarin e tij të lëvizjes. Dje në mbrëmje, policia shqiptare ende nuk kishte marrë njoftim për arrestimin e shkrimtarit 62-vjeçar. Nga ana tjetër, gazeta “Panorama” tentoi të kontaktojë përmes telefonit me familjen e tij në Tiranë, por pas publikimit të lajmit nga agjencia italiane, askush nga të afërmit e shkrimtarit nuk përgjigjej.

Droga shitej në Itali

Menjëherë pas arrestimit të shkrimtarit shqiptar, policia italiane ka marrë masa për izolimin e tij në paraburgim dhe menjëherë ka dërguar për ekspertizë mostra nga sasia e drogës së sekuestruar. Sipas hetimeve të para, mësohet se i ndaluari nuk ka pranuar akuzën, duke thënë se nuk kishte dijeni për drogën, ndërsa policia beson se ajo po trafikohej për t’u shpërndarë në Itali. Nga të dhënat hetimore mësohet se vlera e drogës së sekuestruar kalon gjysmë milioni euro, duke u llogaritur me çmimin e shitjes në tregun e narkotrafikut.

Zyhdi Morava, shkrimtari  i dënuar
TIRANE - Zyhdi Morava ka lindur më 14 mars 1946 në fshatin Gracë të Devollit, ndërsa më pas u transferua në kryeqytet, ku nisi të merret me krijimtari letrare. Në vitet ’60 botoi librin e tij të parë, i cili u pasua edhe me disa botime të tjera. Më 22 prill 1971 u dënua nga regjimi komunist për agjitacion e propagandë, çka solli si pasojë edhe ndalimin e botimit për të. Vitet 1977 – 1982 i ka kaluar në burgun e Spaçit nën këtë akuzë, ndërsa pas lirimit deri në vitin 1991 ka punuar si punëtor ndërtimi, ngarkim-shkarkimi, bujk dhe deri roje nate në një stallë kuajsh në fshatrat e Tiranës. Në prill 1991, Morava ka nisur punë te gazeta sindikaliste “E vërteta” dhe një vit më vonë kishte detyrën e kryeredaktorit të kësaj media. Në vitin 1993, Morava ishte drejtor i hotel “Dajti”, një vit më vonë drejtor i Ndërmarrjes së Prodhimeve të Imta Plastike. Gjatë viteve 1995–2000, Morava ishte zëdhënës i Bashkisë së Tiranës, ndërsa nga marsi i vitit të kaluar Morava mbante postin e kreut të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë deri pak kohë më parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›