E Hënë, 2 Nëntor 2026

Benitez : Tani jemi në lojën tonë

05/01/2005  

Trajneri i Liverpulit Rafael Benitez ka theksuar se skuadra që ai drejton tashmë gjendet më pranë me zonën e Ligës së Kampioneve. Pas fitores së arritur kundër Noruiçit në transfertë Liverpuli është ngjitur në vendin e pestë duke qenë vetëm tre pikë larg fqinjve të Evertonit. Ishin spanjolli Luis Garsia dhe finlandezi Rise, të cilët i kanë dhënë fitoren e tretë në transfertë për skuadrën e tyre. “Tashmë gjendemi vetëm një hap larg nga zona e Ligës së Kampioneve sepse tre pikë nuk janë pak për të mos arritur në katër vendet e para të renditjes në Premier Ligë, ka komentuar Benitez. Ishte kaq e rëndësishme kjo fitore në transfertë e arritur kundër Noruiçit. Mendoj se nuk mund të ankohesh aspak nëse arritën të fitosh tre takime nga nëntë të zhvilluara dhe më pas të humbasësh ndaj Çelsit edhe pse ke luajtur mjaft mirë. Kjo të jep një besim më të madh në vetvete. Aktualisht pas gjithë këtyre takimeve të ngarkuara ndihemi shumë të lodhur dhe do të kishim nevojë për pak pushim. Le të shpresojmë se fitoret do të na buzëqeshin sërish. Duhet të vazhdojmë vetëm me fitore sepse ato do të na siguronin ecurinë e madhe në renditje, të cilën mezi e presim. Në përgjithësi gjatë ndeshjeve të zhvilluara në shtëpi kemi qenë mjaft mirë, por në transfertë problemet kanë qenë më të mëdha. Megjithatë, tani të shpresojmë se jemi në rrugën e mbarë. Si pasojë e lojtarëve të dëmtuar dhe ngarkesës së shumë ndeshjeve që kemi zhvilluar, më është dashur shpesh që të ndryshoj skemat e mia. Në takimin kundër Çelsit ne humbëm Ksavi Alonson, por mendoj se lojtarët e tjerë janë përshtatur në mënyrën më të mirë”. Tashmë me fitoren e arritur kundër Noruiçit, duket se Benitez është duke u përgatitur më shumë për ndeshjen në Kupën FA, ku Liverpuli do të përballet me Bërnlin. Kështu, Benitez ka bërë të ditur se do të bëjë shumë ndryshime për të ruajtur formën fizike të lojtarëve në skuadrën e tij. “Unë do të vë në përdorim gjithë skuadrën pasi jemi të përfshirë në disa kompeticione njëherazi, ka shtuar Benitez. Unë aktualisht nuk kam asnjë problem dhe prandaj nuk jam aspak i sigurtë për lojtarët, të cilët do të pushojnë. Do të shoh me vëmendje se si ata ndihen pas një ngarkese të tillë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›