E Diel, 1 Nëntor 2026

Rivalët “sulmojnë” Çelsin

05/01/2005  

Trajneri i Mançester Junajtid, Sir Aleks Ferguson, si dhe trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, kanë dalë së bashku në konkluzionin se skuadra e Çelsit do ta humbasë shumë shpejt, kryesimin në Premier Ligë. Gjatë gjithë kësaj kohe, duket se djajtë e kuq dhe topçinjtë e Londrës po bëhen gjithmonë e më kërcënues, nisur nga pozicionet e tyre në klasifikim. Këtë e kanë treguar më së miri fitoret e të dyja skuadrave, si brenda fushe, edhe në transfertë. E megjithatë, blutë e Londrës vazhdojnë të ruajnë të paprekur diferencën e tyre prej rivalëve më të afërt. Skuadra e drejtuar nga Hoze Murinjo, nuk ka rreshtur së triumfuari përballë çdo kundërshtari, ku ka spikatur fitorja e arritur në “Anfilld Roud”, me Liverpulin. “Unë mendoj se Çelsi ka patur një fat të madh, por sidoqoftë me kalimin e kohës gjërat do të fillojnë që të ndryshojnë”-ka thënë Ferguson. Nga ana tjetër, ka reaguar edhe trajneri i topçinjve, Arsen Venger, që ka bërë të ditur se: “Më mjafton eksperienca ime këtu në Angli që të them me plot gojën se ka patur shumë skuadra, të cilat kanë ruajtur kryesimin deri në muajin janar, por për fat të keq nuk kanë arritur të fitojnë titullin kampion”. Po ashtu, edhe Ferguson ka vazhduar komentet e tij duke shtuar: “Mendoj se deri më tani është provuar se disa skuadra mund ta humbasin rrugën e tyre drejt kreut, ndoshta edhe në momentet më të rëndësishme në kampionat. Dikujt mund edhe të mos i pëlqejë një gjë e tillë, por faktet shpeshherë janë kokëfortë. Mendoj se edhe vetë skuadra e Çelsit duhet ta kuptojë që një ditë do ta njohë humbjen. Nuk mund të mbeten të pathyer përgjithmonë, të paktën në Premier Ligë. Aq më tepër që deri më tani, kjo skuadër ende nuk ka provuar vuajtjet e dëmtimeve, të cilat jemi duke i kaluar, si ne edhe Arsenali”. Ndërkaq, Venger ka bërë të ditur se Çelsi është përballur me probleme jo të vogla, si pasojë e skuadrave të mbiquajtura si “inferiore” dhe sipas trajnerit francez një gjë të tillë e kanë nxjerrë në pah ndeshjet e zhvilluara. “Në përgjithësi kur je në krye të renditjes, gjithmonë do të përballesh me një sërë problemesh psikologjike dhe sidomos, kur skuadrat ndjekëse janë mjaft të forta taktikisht, ka shtuar Venger. Kur gjendesh në krye të renditjes të gjithë pa përjashtim thonë se, tashmë lufta për titullin është zgjidhur. Për fat të keq, duhet të përballesh edhe me momente, në të cilat mund të humbasësh pikë të rëndësishme në ndeshje po të rëndësishme. Mjafton të shohësh takimet e fundit të zhvilluara nga Çelsi dhe mund të kuptosh se nuk ka qenë aspak e lehtë për të siguruar fitoren. Unë habitem se si shumë njerëz vazhdojnë që t’i deklarojnë ata, si kampionët e ardhshëm në Premier Ligë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›