E Hënë, 2 Nëntor 2026

Testi në janar, priten shkarkime në Prokurori

05/01/2005  TIRANË –Javën e parë të punës, pas pushimeve të festave, prokurorët dhe hetuesit në të gjithë vendin do t'i nënshtrohen testimit profesional. “Provimi” do të zhvillohet në ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme dhe do të ketë mbikëqyrjen e ekspertëve të asistencës policore evropiane në Shqipëri (PAMECA) dhe të Departamentit Amerikan të Drejtësisë. Sipas burimeve pranë Prokurorisë së Përgjithshme, testi zhvillohet në kuadër të vitit të ri të punës së Prokurorisë dhe hetuesit e prokurorët do t'i nënshtrohen atij brenda datës 10 janar. Në fund të muajit të parë të punës për këtë vit, zyrtarët e Prokurorisë së Përgjithshme do të kenë në tryezën e punës pasqyrën e njohurive të vartësve të tyre në të gjitha Prokuroritë e vendit. Testimi dhe rezultatet e tij, sipas zyrtarëve të organit të akuzës, pritet të sjellin lëvizje në strukturat e Prokurorisë, pasi prokurorët dhe hetuesit që nuk do të arrijnë pikët e mjaftueshme, i pret edhe largimi nga puna.

Testimi

Zyrtarët e akuzës qendrore, thonë se testi i përgatitjes profesionale për njerëzit e hetimit bëhet në kuadër të ristrukturimit të institucionit të Prokurorisë. Nëpërmjet këtij testi, Prokuroria e Përgjithshme synon të vlerësojë punën e hetuesve që arrijnë nivel të lartë pikësh dhe demonstrojnë njohuri në fushën penale. Ndërsa ana tjetër e medaljes janë ndëshkimet. Bazuar në rezultatet e testit, Prokuroria e Përgjithshme thotë se do të urdhërojë ndëshkime për ata prokurorë dhe hetues që nuk arrijnë rezultat. Vërejtje, zbritje në detyrë dhe shkarkim nga puna, këto janë masat me të cilat do të përballen punonjësit e Prokurorisë, të cilët marrin pikë të pakta gjatë testimit. Baza e provës do të jenë njohuritë për Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale. Hartuesit e testit thonë se kanë përfshirë, gjithashtu, kazuse juridike dhe penale si dhe zgjidhje të konflikteve në fushën penale.

Ana tjetër

Optimizmi për një testim frytëdhënës mbaron aty ku fillon opinioni i prokurorëve. Ata thonë se tematika e testit përmban shumë terma dhe situata që kanë të bëjnë me mënyrën e punës së hetuesisë në të kaluarën. Sipas prokurorëve që do t'i nënshtrohen testit, ata do t'u japin zgjidhje disa situatave juridike, të cilat janë ndeshur më së shumti në punën e hetuesisë gjatë regjimit komunist, pasi praktika e hartimit special të testeve mungon. Prokurorët thonë se aktiviteti, edhe pse do të pasohet me lëvizje në strukturat e Prokurorisë, mbetet veçse formal, pasi nuk përbën një provë të vërtetë për njohuritë e të testuarve. Ata thonë se, edhe ekspertët ndërkombëtarë, që po mbikëqyrin procesin, nuk janë lejuar të ushtrojnë shumë ndërhyrje mbi përmbajtjen e testit. Burime të Prokurorisë, thonë se ekspertët evropianë dhe ata amerikanë kanë kërkuar që testi të jetë më koherent me ndryshimet që janë bërë në legjislacionin penal shqiptar, por edhe që testi të orientohet drejt kërkesave që aplikon sistemi evropian i drejtësisë. Prokurorët vlerësojnë se kjo nuk është realizuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›