Vetëm 6 minuta në “Bernabeu”
05/01/2005 Do të jetë një debutim shumë i veçantë, ai i Vanderlei Luksenburgos, si trajner i Real Madrid: Për ish-trajnerin e nacionales braziliane, përveç se kjo do jetë ndeshja e tij e parë në pankinën madrilene, ai do të debutojë të mërkurën në ndeshjen me Real Sociedat, e cila është ndërprerë në "Santiago Bernabeu", në 12 dhjetor, për një alarm fals për bombë. Dje gjatë një konference për shtyp, trajneri i ri i Real Madrid ka deklaruar: "Kemi një mision shumë të vështirë në një ndeshje sa hap e mbyll sytë. Duhet të sulmojmë qysh në sekondat e para. Për ne një gol do të ishte shumë i rëndësishëm"- ka përfunduar. Ndeshja, e cila ishte duke mbaruar është ndërprerë vetëm gjashtë minuta nga fundi, për shkak të një paralajmërimi për bombë (që në fakt iu atribua organizatës terroriste ETA), që ishte transmetuar në një gazetë të përditshme spanjolle. E mahnitshme ka qenë shpejtësia, me të cilën 70.000 spektatorë kanë dalë nga stadiumi "Santiago Bernabeu": Për afro tetë minuta i gjithë impianti gjigand është boshatisur. Federata Spanjolle e Futbollit ka vendosur disa javë më parë se, ndeshja nuk do të riluhet nga minuta e parë, por do të zhvillohen vetëm gjashtë minutat që mungonin nga fundi i ndeshjes. Fataliteti ka dashur që rekuperimi i minutave të mbetura do të jetë pikërisht në debutimin evropian të Luksenburgos: Ka shumë mundësi që ky të jetë debutimi më i shkurtër në historinë e futbollit. Drejtuesit respektivë të klubeve, në bashkëpunim me Federatën Spanjolle të Futbollit kanë rënë dakord, edhe për rregullat e ndeshjes që do të fillojë dhe mbarojë sa hap e mbyll sytë. Është përcaktuar se ndeshja nuk do të fillojë nga qendra e fushës, por pikërisht në vendin, ku është ndërprerë ndeshja (ka qenë një rivënie anësore në favor të Real Madrid, e cila ishte duke u ekzekutuar nga anglezi Devid Bekham). Trajnerët duhet të hedhin në fushë vetëm futbollistët që kanë qenë të pranishëm në ato minuta dhe asnjëri nuk do të ketë në dispozicion zëvendësime. Për tifozët jeta është disi e komplikuar: Të gjitha ata që kanë ruajtur biletën e asaj ndeshjeje mund ta përdorin pa problem, për të shijuar sfidën 6 minutëshe. Të gjithë të abonuarit kanë të drejtë të jenë në stadium, por duhet gjetur zgjidhja për ata tifozë, që nuk kanë ruajtur biletën e ndeshjes së parë.