Prokuroria e "mbyllur", 120 krime të pahetuara në Tiranë
05/01/2005 Prej tri javësh, Zyra e Regjistrit Penal në Prokurorinë e Tiranës, nuk ka regjistruar asnjë kallëzim penal. Vendimi për të “mbyllur dyert” e Prokurorisë është marrë në datën 25 dhjetor të vitit të shkuar, për shkak të mbylljes vjetore të punës. Por nga 25 dhjetori deri në ditën e djeshme, policia e kryeqytetit shqiptar ka regjistruar afërsisht 120 ngjarje që përbëjnë vepër penale. Të gjitha këto krime i janë nënshtruar hetimit paraprak të policisë dhe më tej dosjet janë lënë të qeta. Vetëm gjatë netëve të festave të fundvitit, policia e Tiranës tha se janë kryer më shumë se 90 vjedhje banesash në kryeqytet. Asnjëri prej këtyre rasteve nuk është regjistruar në Prokurori, e cila si rrjedhim nuk ka hetuar asnjë ngjarje. Prokurorët dhe hetuesit thonë se zbardhja e një vepre penale varet shumë nga koha kur fillon hetimi i saj. Por pritet që nesër, hetuesit e kryeqytetit, të fillojnë hetimet lidhur me ngjarjet që kanë tri javë që kanë ndodhur. Për të gjitha këto ngjarje materialet ndodhen në polici. Sipas procedurës ligjore, policia kryen hetimet paraprake për çdo ngjarje dhe më pas dokumentacionin ia përcjell Prokurorisë, e cila drejton hetimet. Por, kjo procedurë, prej tri javësh nuk është zbatuar në Prokurorinë e Tiranës, e cila nuk ka pranuar materiale jo vetëm nga policia, por as kallëzime të ndryshme penale nga qytetarët e thjeshtë të kryeqytetit. Mospranimi i materialeve është bërë nga akuza e kryeqytetit, me argumentin se ky institucion do të përfundonte hetimet për dosjet e vitit të shkuar, të cilave u kanë përfunduar afatet e hetimit, me mbarimin e vitit 2004. Pranimi i kallëzimeve të reja dhe hapja e dosjeve të tjera, do t'i pengonte hetuesit dhe prokurorët në punën për të përfunduar dosjet e vitit të shkuar. Ky është edhe shkaku ose Prokuroria e Tiranës ende nuk i ka regjistruar, më shumë se 120 krime që kanë ndodhur në Tiranë, autorët e shumicës prej të cilave janë të paidentifikuar dhe të pacënuar nga prangat.