E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kosovë, 422 femra nën 18 vjeç trafikuar në 4 vjet

05/01/2005  TIRANË –Treguesit e trafikimit të femrave në Kosovë janë rritur. Alarmi i fundit është dhënë dje nga Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve. Sipas raportit më të fundit të kësaj qendre, 422 femra kosovare janë viktima të trafikimit të qenieve njerëzore, gjatë katër viteve të fundit. Pjesa më e madhe e femrave të trafikuara kanë rënë viktima të ngjarjeve të dhunshme dhe fatkeqe nga keqtrajtime çnjerëzore deri në vrasje. Femrat e trafikuara, sipas raportit, janë shfrytëzuar për prostitucion. Numri më i madh i tyre ka përfunduar në Itali, ndërsa një pjesë e tyre vazhdojnë të shfrytëzohen edhe në Kosovë, ku, sipas ekspertëve, prania e administratës ushtarake ndërkombëtare ka ndikuar në rritjen e kërkesës për shtëpi publike.

Moshat

Në raport thuhet se me tepër se 90 për qind e femrave të trafikuara, janë të moshës 11 deri në 18-vjeçare. Rastet më të shumta janë ato të rrëmbimit të tyre, ndërsa, sipas verifikimeve të Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve, disa prej tyre janë mashtruar me premtime për bashkëjetesë dhe martesë dhe më pas janë trafikuar dhe janë hedhur në trotuar. Kjo tendencë ka shënuar rritje gjatë dy viteve të fundit. Gjatë kësaj kohe, në Kosovë janë regjistruar raste të shumta të largimit nga familjet të femrave në mosha të reja, nën 18 vjeç.

Shifrat

Naime Sherifi, punonjësve e Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve, shpreh shqetësimin e saj se numri i femrave të trafikuara dhe të miturave të dhunuara është më i madh se 422. Sherifi thotë se 422 është numri i femrave që kanë marrë ndihmë nga Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve, pasi janë trafikuar dhe shfytëzuar për prostitucion. Por punonjësja sociale thotë se shumë femra të tjera të trafikuara dhe të dhunuara, nuk kanë denoncuar. Edhe Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve është e vetëdijshme se ndihma e saj nuk ka mbërritur te të gjitha femrat e trafikuara në nevojë për ndihmë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›