Benitez: Jemi në formë
03/05/2005 Trajneri i Liverpulit, Rafael Benitez, ndihet tepër optimist në prag të supersfidës me Çelsin. Madje, ai ka bindjen e plotë se skuadra që drejton mund të mposhtë pa probleme, kampionët e rinj të Anglisë. Takimi gjysmëfinal i Ligës së Kampioneve që do të zhvillohet në “Anfilld Roud”, është një nga përballjet më interesante në këtë kompeticion dhe duket se Benitez ka filluar të mendojë seriozisht për fitoren. Por, ndërkohë blutë përsëri edhe në këtë takim do të zbresin në fushë si favorit, aq më tepër që tani vijnë në shtëpinë e Liverpulit, me petkun e kampionëve në Premier Ligë. Ashtu si në sfidën e parë, edhe tani bilanci është më pozitiv për skuadrën e Murinjos, së cilës do t’i mjaftonte një barazim për të prekur finalen e Stambollit. E megjithatë, kësaj radhe Benitez nuk ndihet aspak i trembur prej emrit dhe suksesit të Çelsit. “Sigurisht që Murinjo është një ndër më të mirët, ka komentuar Benitez. Ai ka në dispozicion një skuadër shumë të përgatitur dhe mbi të gjitha, është trajner që realizon taktika të veçanta loje me futbollistët e tij në fushë. Punon me orare të zgjatura, duke kontrolluar si skuadrën e tij, por edhe kundërshtarët. Sidoqoftë ai edhe pse ai është një trajner i veçantë dhe ka një skuadër të mirë, në sfidën e sotme do të përballet me humbjen. Gjithmonë kur luan në shtëpinë tënde nuk mendon gjë tjetër, veçse për një fitore të sigurt. Madje edhe nëse do të më thonë se a do të arrijmë në finale, po të mposhtim Çelsin, Juventusin, Real Madridin apo Barcelonën, unë do të thosha se çdo gjë është e mundur. Edhe ne kemi në skuadrën tonë, lojtarë shumë të mirë, kështu që tani kemi shansin më të përkryer, për të shkuar në finale dhe për të shkruar historinë në Ligën e Kampioneve. Në takimin e parë, të zhvilluar në Londër luajtëm shumë mirë, duke krijuar raste të pastra shënimi. Për mendimin tim, do të jetë kapiteni ynë Stivi, lojtari kryesor, ku ne do të mbështetemi më shumë. Ai është në gjendje të ndryshojë gjithmonë ndeshjen në favorin tonë. Le të shpresojmë se do të shkojmë deri në finale, ndonëse ka për të qenë mjaft e vështirë”.