E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zherard: Ndeshja e jetës sime

03/05/2005  Kapiteni i Liverpulit, Stiven Zherard, kërkon t’iu japë sa më shumë kurajo shokëve të skuadrës, në prag të përballjes së madhe me Çelsin, në gjysmëfinalen e Ligës së Kampioneve. Mesfushori 24-vjeçar e ka përshkruar këtë takim, si ndeshjen më të rëndësishme në jetën e tij. Ndonëse Liverpuli ka dështuar sërish në Premier Ligë, duke marrë vetëm një barazim kundër Midëllsboros, të gjithë presin që sfida në “Anfilld Roud”, do të jetë një mundësi e hapur për të dyja skuadrat. Sigurisht, një barazim pa gola në Londër, mund ta kthejë arenën e Liverpulit në një natë dramatike, mbushur me emocione dhe lot. Edhe një herë Zherard do të jetë lideri i skuadrës së zemrës, të cilën do të mundohet ta udhëheqë deri në finalen e madhe të Stambollit. “Këtë përballje të dytë me Çelsin, në Ligën e Kampioneve, unë mund ta quaj fare mirë ndeshjen më të rëndësishme të jetës sime- ka thënë Zherard. -Jam i sigurt se po të njëjtat emocione mund të përjetojnë edhe shokët e mi të skuadrës. Në fillimin e këtij kompeticioni, me pjesëmarrjen tonë, ne jemi ndjerë gjithmonë inferiorë përpara rivalëve të tjerë. Prandaj, unë mendoj se fakti i ecurisë sonë deri në këtë pikë, iu ka treguar të gjithëve se çfarë jemi në gjendje që të bëjmë ne, së bashku me trajnerin. Padyshim që ne kemi arritur diçka të madhe deri më tani, por nuk mendoj se ky është momenti i përshtatshëm për të bërë bilancin tonë. Kemi ardhur këtu, vetëm për të fituar dhe kështuqë nuk do të ndalemi në asnjë çast. Të jem kapiten i Liverpulit në finalen e Ligës së Kampioneve, për mua do të ishte arritja më e bukur në karrierën time si futbollist. Për ne, kjo supersfidë do të jetë një mundësi e jashtëzakonshme”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›