Dëmtimet, shqetësimi i Hidink
03/05/2005 Kampionët holandezë të PSV-Eindhovenit nuk u ndien plotësisht të kënaqur nga barazimi 2-2, me Tuenten në fundjavë, pasi gjatë kësaj ndeshjeje u dëmtua sulmuesi i tyre, Damarkus Bisli dhe Xheferson Farfan. Ky i fundit vuan nga një dëmtim në kavilje, ndërkohë që Bisli ka çarë këmbën e tij të majtë. Kjo do të thotë se të dy këta do t’i mungojnë formacionit të PSV-së, gjatë ndeshjes së dytë gjysmëfinale, ndaj Milanit. Por shqetësimet e holandezëve nuk mbarojnë këtu, pasi gjatë ndeshjes së fundit në kampionatin holandez nuk morën pjesë edhe Vilfred Bouma, Ji Sung Park e Robert, për shkak të dëmtimeve, ndërkohë që në ndeshjen e nesërme, vetëm Park mund të jetë i pranishëm. Nga ana tjetër, Andre Oijer është i pezulluar, kështuqë trajneri Gus Hidink, i ka të gjitha arsyet për të qenë i shqetësuar, aq më tepër kur kërkon të përmbysë rezultatin 2-0, të marrë në ndeshjen e kaluar në “San Siro”. “Jam duke menduar ndryshimet që mund të bëj pas këtyre dëmtimeve. Ndoshta, në mbrojtje do të luajnë më pak lojtarë se zakonisht. Megjithatë kemi edhe pak kohë, derisa të takohemi me Milanin dhe ndoshta disa prej lojtarëve rikthehen në gjendjen e tyre të mëparshme” – thotë trajneri Hidink.