Shevçenko: Jemi numri 1

08/01/2005 "Ky është Milani më i fortë që kam parë nga koha, kur unë u transferova këtu". Këto janë fjalët e thëna nga fituesi i “Topit të Artë”, sulmuesi ukrainas Andrij Shevçenko. "Po, ky është Milani më i mirë, pasi në fushë ne argëtohemi shumë". Shevçenko përpara ndeshjes me Leçen, ngriti përpara tifozëve të Milanit, në “San Siro”, trofeun e “France Football”. "Ishte diçka fantastike, një ditë krejt e veçantë". Me këtë mendim të shënuesit kryesor të skuadrës është dhe trajneri i Milanit, Karlo Ançeloti: "Dëshiroj që të luajmë gjithnjë kështu. Një nivel që lë mbresa. Mua kjo ndeshje e skuadrës sime më la të kënaqur dhe sonte nuk dua të flas për Juventusin". E vetmja notë e stonuar në fitoren mbresëlënëse të Milanit ndaj Leçes, ishte largimi me karton të kuq nga loja, i mbrojtësit Nesta. "M’u duk një vendim pak i tepruar, pohoi Ançeloti, pasi nuk ishte faull i njeriut të fundit në mbrojtje, apo kundërshtari u shfaq në rastin e pastër për të shënuar. Më vjen keq dhe pse nuk mendoj që do të kemi probleme për zëvendësimin e tij në Palermo". Eshtë gati rikthimi i Stam? "Jap fizikisht është mirë, por do të shikojmë se riaftësimi i tij është i tillë që ai mund të luajë në Palermo. E përsëris, nuk jam shumë i shqetësuar për skualifikimin e Nestës", komentoi më tej trajneri i Milanit. Ançeloti vlerësoi dhe ndeshjen e madhe të mesfushorit francez Doraso. "Ishte një zbulim për mua. Nuk e mendova se do të kishte këtë kualitet". Dhe kapiteni Maldini preku incidentin e largimit nga loja, të Nestës: "Gjyqtari vetë ishte në dyshim, pastaj pa nga anësori që konfirmoi përjashtimin".