Benitez: Lavdinë me Liverpulin
20/05/2005 Rafael Benitez kërkon të hedhi hapin e parë për t’u bërë trajneri më i mirë i Liverpulit. Kështu, guri i provës për trajnerin spanjoll do të jetë një fitore në finalen e Ligës së Kampioneve kundër Milanit. Por, sigurisht Benitez ka ende shumë për të dhënë nëse kërkon të matet me supermacinë e parardhësve të Liverpulit, Bill Shenkli, Bob Peisli dhe Xho Fagan. “Në të gjithë klubet që unë kam punuar deri më tani, nuk kanë munguar ata njerëz, të cilët më kanë folur shumë rreth statistikave, ka thënë Benitez. Por, kuptohet që unë dua t’i lë ata sa më prapa sepse edhe unë kam statistikat e mia profesionale. Kam qenë më parë nën drejtimin e Ekstremadurës, më pas te Tenerife dhe Valencia. Në të gjitha vendet që kam punuar, unë kam regjistruar statistikat më të mira në historinë e këtyre klubeve. Kam arritur rezultate mjaft pozitive në të treja këto skuadra. Edhe tani me Liverpulin do të përpiqem që të realizoj po të njëjtën gjë. E di që do të jetë tepër, tepër e vështirë sepse historia e një klubi të tillë është shumë e madhe. Sidoqoftë unë kam 20 vjet të tjera në dispozicion si trajner në jetën time për të provuar vlerat e mia profesionale. Mbi të gjitha kam ende katër vitet të mbetura në kontratën aktuale me Liverpulin. Nuk më mungon aspak besimoi në aftësitë e mia dhe prandaj jam i sigurt se do të fitoj shumë gjëra të mëdha. E di fare mirë se në Evropë dhe në Angli ekzistojnë skuadra shumë të mira, por nëse nuk beson në vetvete, çdo gjë mund të bëhet e pamundur”. Liverpuli ka siguruar një vend në finalen e Ligës së Kampioneve edhe pse nuk ka treguar një formë të mirë gjatë këtij sezoni në Premier Ligë, duke humbur plot 11 ndeshje në transfertë. “Disa skuadra luajnë më mirë në kampionat, ndërsa të tjerat në kompeticione të ndryshme, ka shtuar Benitez. Por, sigurisht në të ardhmen, ne do të bëjmë më shumë në kompeticionet e tjera si vendase edhe ato evropiane. Jemi përballur me disa skuadra të vështira, por kur kemi mposhtur Juventusin, unë mendova se lojtarët e mi vetëm në ato çaste ndjenë se mund të fitojnë Ligën e Kampioneve”.