Vieira: Gati për gjithçka
20/05/2005 Patrik Vieira vazhdon të nguli këmbë se Arsenali e meriton plotësisht që të fitojë një trofe për këtë sezon. Kapiteni i “Topçinjve”, ndërsa ka shprehur sërish përkushtimin e tij ndaj klubit londinez, ka deklaruar se është gati për gjithçka në “betejën” personale me Roi Kin. Mesfushori francez nuk do t’i pëlqente kurrësesi që skuadra e tij të mbetej duarbosh nga një sezon futbollistik, gjë e cila nuk ka ndodhur qysh prej vitit 2001. “Ne nuk e kemi fituar Premier Ligën dhe nuk jemi në finalen e Ligës së Kampioneve, kështu që i vetmi trofe për të cilin mund të shpresojmë është Kupa FA, ka thënë Vieira. Mënyra se si kemi luajtur këtë vit, na bën të mendojmë se e meritojmë që ta fitojmë me çdo kusht një trofe të rëndësishëm. Gjatë këtij sezoni kemi zhvilluar një futboll fantastik, madje më të mirë se sa në vitin e kaluar. Kemi ecur në një stil krejt të ri. Madje unë mendoj se në krahasim me Mançester Junajtid, ne jemi një skuadër më e mirë. Duke u krahasuar me sezonin e kaluar, ne i kemi krijuar më shumë shanse vetes dhe kemi shënuar më shumë gola. Pra, sipas mendimit tim jemi përmirësuar së tepërmi. Por, sidoqoftë në aspektin e mbrojtjes kemi nxjerrë në pah disa boshllëqe, të cilat duhet t’i rregullojmë. Nëse duam të ecim me sukses në Ligën e Kampioneve kundër klubeve të mëdha, atëherë na duhet t’i shtojmë përpjekjet tona gjatë seancave stërvitore. Nuk duhet të kënaqemi asnjëherë me përgatitjet tona sepse kemi nevojë për më shumë energji dhe forcë teknike”.