E Hënë, 2 Nëntor 2026

Festa e titullit Starova 4 dhe Tirana 22

20/05/2005  Përmes fishekzjarresh dhe një koncerti bardheblutë do të festojnë zyrtarisht titullin e tretë radhazi në kampionatin shqiptar

Tirana do të nis sot festimet e titullit të 22-të kampion në historinë e saj. Fishekzjarret dhe një koncert me këngëtarët më të njohur, do të jenë elementë të festës së bardhebluve, që do të nis para ndeshjes me Dinamon dhe do të përfundojë në orët e vona të natës. Një gjë të tillë, e ka konfirmuar dje trajneri i bardhebluve, Sulejman Starova, i cili gjithsesi tha se kjo festë do të organizohet nga donatorët, të cilët dinë edhe detajet më të vogla. Bardheblutë e Tiranës do të festojnë sot, titullin e tretë radhazi të marrë në pesë vitet e fundit. Ashtu siç thotë edhe trajneri Starova, asnjë titull nuk është i njëjtë me të tjerët dhe një gjë e tillë pritet të vërtetohet edhe sot, kur Tirana të organizojë një festë madhështore në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. “Të gjithë jemi duke u përgatitur për të festuar titullin e 22-të të Tiranës. Asnjë titull nuk është i njëjtë me të tjerët dhe këtë do ta tregojmë edhe sot. Me këtë rast përfitoj të ftoj të gjithë tifozët, që nuk e kanë ndjekur shumë Tiranën gjatë këtij sezoni, por edhe ata që na kanë shoqëruar në të gjitha ndeshjet, që të jenë të pranishëm sot, ku fishekzjarret dhe këngët nuk do të mungojnë. Kjo festë do të organizohet nga donatorët e skuadrës, të cilët i dinë edhe detajet më të vogla”, tha dje Starova. Ky është titulli i katërt i Starovës si trajner, pas tre titujve të marrë para se ai të bëhej sekretar i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit. “Jam i kënaqur sepse arrita të kontribuojë për një trofe tjetër të skuadrës së Tiranës. E gjithë merita e këtij suksesi është e futbollistëve, por edhe e donatorëve, të cilët i kanë qëndruar shumë afër skuadrës”, përfundoi Starova. Ndeshja e fundit e Tiranës do të përballë Dinamos, e cila nga ana e saj ka një bilanc pozitiv me skuadrën e Starovës, por gjithsesi në ndeshjen e sotme, rezultati do të jetë gjëja që ka më pak rëndësi, pasi do të jetë e eklipsuar nga festa që pritet të organizojnë bardheblutë. Tirana fitoi titullin këtë sezon, kur duheshin edhe tre javë nga përfundimi i kampionatit. Kundërshtari i vetëm i bardhebluve ishte Elbasani, i cili arriti t’i afrohej vendit të parë jo më shumë se katër pikë, megjithëse portokallinjtë kanë një avantazh në ndeshjet direkte me bardheblutë, ishin këta të fundit që pas fitores me Teutën 5-3, arritën të siguronin edhe matematikisht titullin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›