Hasan Lika edhe më pranë të kuqve
20/05/2005 Duket se manovrat e merkatos së presidentit të Partizanit, Albert Xhani janë të pakuptueshme. Dhe rasti i trajnerit është një dëshmi e një fakti të tillë. “Nuk kam patur asnjë kontakt me Hasan Likën”,- deklaronte ditë më parë presidenti i të kuqve në lidhje me një transferim të mundshëm të trajnerit të ekipit tonë Shpresa në timonin e skuadrës së kuqe. Por, edhe pse tre-katër ditë më parë presidenti i të kuqve kishte bërë të ditur një gjë të tillë, duket se Xhani ka fshehur diçka. Sipas burimeve brenda klubit të kuq, midis numrit një të të kuqve dhe trajnerit Lika ka patur bisedime, madje ato kanë ecur në rrugë të mbarë dhe shumë shpejt pritet të finalizohen me firmën e Likës. Kuptohet që gjithçka do të marrë jetë vetëm pas përfundimit të sezonit, pasi dihet që në muajin qershor, trajneri i ekipit tonë Shpresa do të ketë dy angazhime me skuadrën e tij në eliminatoret e Kampionatit Evropian. Për momentin duket disi i vështirë kalimi i Likës në krye të bankinës së kuqe, pasi ai vazhdon të jetë i angazhaur me skuadrën Shpresa. Kësaj i shtohen edhe deklarimet e vetë Likës, i cili interesimit të Partizanit për ta patur nën drejtimin e tij i përgjigjet se për momentin është i zënë me një tjetër detyrë, atë të trajnerit të ekipit tonë Kombëtar U21. Por ai nuk e ka mohuar kalimin e tij të mundshëm te të kuqtë. Gjithsesi, duket se palët e interesuara kanë gjetur gjuhën e përbashkët dhe nuk do të vonojë dita e kalimit të Likës në postin e trajnerit të Partizanit. Një kalim i mundshëm i Likës në këtë post, mund të pasohej edhe nga një zinxhir ndryshimesh, të përfolura gjatë ditëve të fundit në shtyp. Sigurisht që mbërritje e Likës në krye të skuadrës së kuqe, mund t’i hapte rrugë vërtetimit edhe të hipotezave të fundit në shtyp për një rokadë në krye të skuadrës së kuqe të kryeqytetit. Dhe këtu përfshihet kalimi i trajnerit aktual, Sulejman Mema në rolin e drejtorit teknik të Partizanit. Pra, çuditë në kampin e kuq vazhdojnë me pohime dhe përgënjeshtrime në lidhje me të ardhmen e stolit drejtues të skuadrës së Partizanit. Por, për momentin fakt është se, Lika dhe Partizani e shohin njëri-tjetrin shumë pranë, madje sipas burimeve nga klubi i kuq, kjo duket punë e mbaruar. L.S