Benitez: Probleme në sulm
05/04/2005 Trajneri i Liverpulit, Rafael Benitez, është shprehur se lojtarët e tij nuk do të jenë të përqëndruar aspak në tragjedinë e Heiselit. Sipas Benitez, skuadra e kuqe do të ketë në mendje vetëm lëvizjet e Juventusit, në fushën e blertë të “Anfilld Roud”. Është hera e parë që këto dy skuadra do të përballen me njëra-tjetrën, qysh në finalen katastrofike të Brukselit në vitin 1985, ku humbën jetën plot 39 tifozë, kryesisht italianë. Edhe pse nata e sotme do të jetë mjaft emocionale për lojtarët dhe tifozët, Benitez mendon se mënyra më e mirë për të respektuar ata që humbën jetën në tragjedinë e Brukselit, do të jetë duke treguar një spektakël të vërtetë në fushën e blertë. “Kemi biseduar së tepërmi lidhur me rëndësinë që ka kjo ndeshje për ne, ka komentuar trajneri spanjoll. Por, unë mendoj se nëse duam t’i ndihmojmë vërtetë njerëzit, duhet të flasim vetëm për gjëra sa më optimiste dhe për të mirat që do të na vijnë nga e ardhmja. Duhet të flasim me fjalë pozitive për sa i përket tragjedisë së dikurshme. Ne i kemi programuar si skuadër, të gjitha gjërat kryesore që duam të bëjmë. Tani përgjegjësia ime është që të japim maksimumin për klubin tonë dhe mbi të gjitha, t’iu dhurojmë tifozëve diçka të gëzueshme”. Për Benitez, një shqetësim i madh për këtë takim do të jetë sulmi, ku i vetmi që mund të luajë në repartin e avancuar është çeku Milan Barosh. “E rëndësishme është që të marrim një rezultat sa më pozitiv, por kjo nuk do të thotë se nuk do të sulmojmë, ka shtuar Benitez. Megjithatë, duhet patjetër një fitore, sepse në ndeshjen e kthimit nuk do ta kemi aspak të lehtë, pasi Juventusi zotëron një mbrojtje të fortë. Italianët kanë një skuadër, e cila është në gjendje të përmbysë çdo rezultat në shtëpi dhe këtë e kanë treguar fare mirë takimet e kaluara”.