E Diel, 1 Nëntor 2026

Liverpuli e Juventusi kujtojnë“Hejselin”

05/04/2005  Njëzet vjet pas tragjedisë së “Hejselit”, Liverpuli dhe Juventusi gjenden përsëri përballë dhe ndeshja e sotme do të jetë rasti ideal për të kujtuar viktimat e asaj tragjedie makabre. Një ngjarje që nuk do të harrohet kurrë. Tifozeritë dhe lojtarët e Juventusit e Liverpulit po përgatiten të kujtojnë në mënyrën më të përshtatshme, viktimat e një prej tragjedive më absurde në historinë e sportit, atë të 29 majit të vitit 1985, kur në rastin e finales së Kupës së Kampioneve, në stadiumin “Hejsel” të Brukselit, vdiqën 39 persona, shumë nga të cilët ishin tifozë italianë. Takimi i parë që nga ajo ngjarje, në program sot në mbrëmje, në stadiumin “Anfild Roud” të Liverpulit, do të kujtohet edhe nga një seri gjestesh dhe ceremonish për të përkujtuar atë që ndodhi në atë natë të trishtueshme. Të premten e kaluar, në radhë të parë, një “huligan”, midis fajtorëve të asaj tragjedie, udhëtoi drejt Italisë për të takuar themeluesin e shoqatës së viktimave të asaj ndeshjeje. “Nuk kam fjalë për të shprehur pendimin tim dhe shpresoj që të paktën ndeshja e së martës të na bëjë të mendojmë”, deklaroi Terri Uilson, tashmë 38-vjeçar. Për ndeshjen, para së cilës do të mbahet një minutë qetësi, është krijuar një stemë e veçantë, me një dorë të kuqe dhe një bardhezi që shtrëngojnë njëra-tjetrën. Ndërkaq, gjithë tifozëve do t’u dhurohet nga një byzylyk, me një mesazh të shkruajtur: “miqësi” në të dyja gjuhët. Do të jetë simboli i lidhjes që bashkon dy klubet në kujtim të viktimave dhe i njëjti byzylyk do të mbahet edhe nga lojtarët e dy skuadrave. Dy lojtarët simbol të skuadrave të atëhershme, Jan Rash e Mishel Platini, do të hapin në mesfushë një banderolë, me emrat e 39 viktimave. Tifozët e Liverpulit do të ngrejnë nga tribuna e tyre, përbërësit e një mozaiku të madh, që do të formojë shkrimin “miqësi”. “Ajo që ndodhi 20 vjet më parë, nuk do të mund të harrohet kurrë dhe do të mbetet gjithmonë në kujtimet tona. Ajo e Hejselit ishte e vetmja ndeshje dhe kam luajtur me mijëra, ku nuk më interesonte rezultati. Dëshiroja vetëm që ajo mbrëmje të përfundonte sa më shpejt”, deklaroi Jan Rash.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›