E Diel, 1 Nëntor 2026

Kazinoja, pronar mund të bëhet dhe një shqiptar

05/04/2005  Dy konkurrentët për licensën e kazinosë

Club Hotel Loutrakki S.A.

Hyatt Regency Hotel&Tourism Hellas S.A.

Dy firma pretendente për licensën e vetme të kazinosë në Tiranë, kanë pranuar të presin edhe një ditë për të përcaktuar fituesin. Duke respektuar ditën e zizë për vdekjen e Papës, Komisioni ka kërkuar mirëkuptimin e tyre për të shtyrë për 24 orë shqyrtimin e planbizneseve të paraqitura prej dy kompanive. Kështu sot do të përcaktohet fituesi, i cili do të jetë mes “Club Hotel Loutrakki S.A.” dhe “Hyatt Regency Hotel&Tourism Hellas”, të cilat janë dhe dy kompanitë e kualifikuara për fazën e dytë. Por duket se shansi për të patur një licensë “shqiptare” për kazinonë e vetme, nuk kanë humbur për fare. Njëra prej dy kompanive konkurrente “Hyatt Regency Hotel&Tourism Hellas” në kurrikulumin e saj ka sqaruar se, 49 për qind të kazinove të kompanisë janë shqiptare. Eshtë pronari i bar “Taivanit”, bashkaksioneri i fuqishëm i kompanisë greke, e cila po konkurron për licensën e kazinosë. Kjo do të thotë se, në rast të një fitore të mundshme, rreth 50 për qind e të drejtave, por dhe detyrimeve që vijnë nga pronësia mbi licensën, do të jenë të palës shqiptare.

Kështu, Ministria e Financave është shumë afër përzgjedhjes së fituesit, që do të ketë të drejtën të mbajë për 15 vjet licensën e të vetmes kazino në kryeqytetin shqiptar. Kompania fituese duhet t’i paguaj shtetit shqiptar 10 milionë dollarë për licensën si dhe duhet të mbyllë në bankë rreth 3 milionë dollarë garanci pagese për fituesit e lojërave të fatit. Sipas rregullave të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave, aktiviteti i kazinosë do të monitorohet nga organet tatimore dhe, në rast të mospagimit të tatimeve, do t’i pezullohet aktiviteti. Duket se dhe në këtë sektor, grekët do të kenë privilegjin të jenë të parët, madje, dhe të vetmit, duke mundur të skualifikojnë në konkurrim të hapur kompaninë shqiptare “Rozafa Casino” dhe atë amerikane. Mund të thuhet se, “Rozafa Casino” është kompania që ka eksperiencë në fushën e lojërave të fatit, pasi ka në pronësinë e saj dhe një nga lojërat e fatit më të njohura dhe të frekuentuara në kryeqytet.

Kriteret për marrjen e licensës

Pagesë e licensës, 10 milionë dollarë

Garantimi i fituesve, duke ngrirë në bankë 3 milionë dollarë

Objekti i veprimtarisë së shoqërisë duhet të jetë vetëm veprimtaria e kazinosë dhe e lojërave të fatit

Duhet të deklarohen themeluesit e shoqërisë, ortakët,

drejtuesit dhe, ortakët nuk duhet të jenë dënuar penalisht për vepra penale të krimit ekonomik

Licensa merret për 15 vjet

Ku do të hapen 4 kazinotë e tjera

Privilegjin për të hapur kazino, nuk do ta ketë vetëm kryeqyteti, ku jetojnë 700 mijë banorë. I gjithë bregdeti, ku është përqendruar dhe zona turistike më e rëndësishme e vendit, do të ketë kazino. Do të jenë katër kazino në zonën bregdetare nga Saranda në Velipojë. Përqendrimi i madh i turizmit në këto zona, ka bërë që të mos merret për bazë numri i popullsisë apo madhësia e zonës turistike. Kështu dhe Velipoja do të ketë një kazino, ashtu sikurse Durrësi, Vlora dhe Saranda. Ndërkaq, në kryeqytet, do të japë vetëm një licensë për kazino, duke e çuar në pesë numrin e kazinove që do të licensohen në të gjithë vendin. Kështu, prania e kazinove në pikat turistike do t’u japë më shumë jetë zonave, ku gjatë verës, por dhe për fundjavë, pushojnë me qindra mijëra pushues.

Zona bregdetare turistike Vlorë 1

Zona bregdetare turistike Sarandë 1

Zona bregdetare turistike Durrës 1

Zona bregdetare turistike Velipojë 1

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›