Milan, Taçi i kërkon aksione Berluskonit
Pasi u tërhoq në momentin e fundit nga marrëveshja për blerjen e pjesës më të madhe të aksioneve të Bolonjës, emri i Rezart Taçit vazhdon të përflitet në mediat italiane. Vetëm pak orë përpara se të firmoste blerjen e 80 për qind të ekipit kuqeblu, që militon në Serinë A, ai i dërgoi një faks familjes Menarini, ku konfirmonte se akordi nuk do të finalizohej. Arsyet për këtë vendim vazhdojnë të jenë të paqarta. Ndërkohë, gazetat përtej Adriatikut kanë zbuluar se biznesmeni shqiptar i ka kërkuar presidentit të Milanit, Silvio Berluskoni, një pjesë të vogël të aksioneve të klubit. Ai shpreson se duke shfrytëzuar miqësinë me numrin 1 të kuqezinjve, do të arrijë të bëhet pjesë e këshillit administrativ të skuadrës që ka fituar numrin më të madh të trofeve në botë, nëpërmjet një pakete të vogël aksionesh. Milani kontrollohet nga "Fininvest", ndërsa numri i kompanive që kërkojnë të bëhen bashkëpronare është mjaft i madh.