Benitez do kujdes me PSV-në: Kujdes nga euforia
Trajneri i Liverpulit Rafa Benitez kërkon të ulë euforinë në skuadrën e tij në prag të ndeshjes së sotme ndaj holandezëve të PSV Eindhoven. Sipas tij, futbollistët nuk duhet ta humbasin përqendrimin edhe pse janë duke kaluar një formë shumë të mirë.
Trajneri i Liverpulit Rafa Benitez do të ketë në dispozicion një skuadër të plotë për ndeshjen që do të luhet sot në mbrëmje kundër PSV Eindhoven. Problemi më i madh për të kuqtë në këtë fillim sezoni ka qenë zhbllokimi i dy sulmuesve Fernando Torres dhe Robi Kin, por spanjolli tashmë është rikthyer duke shënuar dy herë në fitoren ndaj Evertonit në derbin e së shtunës.
Liverpuli ka fituar 9 nga 12 ndeshjet e fundit në Champions League, ndërsa ka arritur të fitojë 3 nga 4 përballjet e fundit me PSV-në. Megjithatë Benitez kërkoi ta paralajmëronte skuadrën e tij për këtë besim të tepruar në ndeshjet shtëpiake.
“Mendoj se është shumë e rëndësishme kur luan mirë dhe fiton ndeshje, pasi të gjithë flasin për ty. Është e rëndësishme për mua që t’i bëj lojtarët të mendojnë për këtë ndeshje. Përbën shumë rrezik ta humbasim përqendrimin nga kjo sfidë”, deklaroi trajneri spanjoll. Liverpuli nuk ka pësuar asnjë gol në 6 përballjet e fundit me ekipet holandeze, ndërsa nuk humbet në 9 takimet me to, që prej disfatës 5-1 në sezonin 1966-1967. Në krahun tjetër, PSV-ja luan ndeshjen e 250-të në Kupat e Evropës dhe regjistron 104 fitore e 88 humbje. Skuadra holandez nuk ka shënuar gol në 5 prej 6 ndeshjeve të fundit në Champions League. PSV-ja ka fituar vetëm një ndeshje në 9 vizitat e saj në Angli në të shkuarën.
(a.s/News24/Balkanweb)