Marseja luan ndaj Atletikos, Cana: Duhet rezultat pozitiv
Lorik Cana beson se Olimpiku i Marsejës do të dalë me një rezultat pozitiv sot në mbrëmje ndaj Atletikos së Madridit. Duke folur në konferencën e zakonshme për shtyp, kapiteni shqiptar i Marsejës deklaroi se skuadra madrilene është një kundërshtar direkt. Atletiko ndërkohë beson shumë tek forma e mirë që po kalon në këtë periudhë.
Olimpiku i Marsejës ndeshet sot në mbrëmje ndaj Atletikos së Madridit në Vicente Kalderon, në tentativë për të lënë pas humbjen me Liverpulin në ndeshjen e parë të grupit S. Të dyja skuadrat kanë zhvilluar stërvitjen e fundit në stadiumin e ndeshjes dhe kapiteni shqiptar i Marsejës, Lorik Cana, ka qenë në qendër të vëmendjes së gazetarëve. Duke folur në konferencën e zakonshme për shtyp, mesfushori kuqezi deklaroi se ndaj Atletikos skuadra franceze ka nevojë për një rezultat të mirë në mënyrë që të shpresojë për kualifikim. Ai e ka lënë pas dëmtimin e pësuar ndaj La Manshit në fundjavë dhe sot në mbrëmje do të jetë rregullisht në fushë për skuadrën e tij.
“Tani është akoma më e rëndësishme, pasi ne humbëm ndeshjen e parë në shtëpi. Për ne është si të ndeshemi me një kundërshtar direkt. Dihet që Liverpuli është ekipi favorit i grupit, ndërsa ne, nëse duam të qëndrojmë në valle, duhet të marrim një rezultat të mirë”, u shpreh Cana. Ndërsa trajneri Erik Gerets deklaroi se skuadra që do të qarkullojë më mirë topin, do të fitojë në këtë takim. “Çelësi do të jetë që kur të humbasim topin, duhet t’i mbulojmë sa më shpejt. Ata ecin me 100 kilometra në orë dhe i përdorin hapësirat në mënyrë perfekte”, deklaroi Gerets. Në krahun tjetër, Atletiko e Madridit po kalon një formë të shkëlqyer, teksa në ndeshjen e parë arriti të fitonte 3-0 me PSV-në.
Spanjollët do të mbështeten sërish tek forca e sulmuesit Serxhio Aguero, i cili po kalon një formë të shkëlqyer. “Luajmë në shtëpi dhe e kemi për detyrë ta fitojmë këtë ndeshje. Mbështetja e njerëzve dhe gjendja emocionale që po kalon skuadra, do të jenë vendimtare”, deklaroi trajneri Havier Agirre.
(a.s/News24/Balkanweb)