E Shtunë, 31 Tetor 2026

FSHF, dhuna në Peqin mbetet e pazbardhur

 

TIRANE- Federata Shqiptare e Futbollit nuk ka mundur të zbardhë asgjë nga dhuna që ndodhi dy javë më parë në fushën e Peqinit, në ndeshjen mes Shkumbinit dhe Besës. Për shkak se delegati nuk pati shkruar asgjë në relacion, por edhe për faktin se futbollistët dhe stafi drejtues i klubit kavajas nuk pranuan të flisnin, çështja është konsideruar e mbyllur në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Disiplinës. "Duke qenë se asnjë nga palët nuk ka pranuar të prononcohet, Komisioni e pa të arsyeshme që për mungesë faktesh dhe pamjesh, si edhe duke mos pasur ankesë nga Besa, të mos e marrë në shqyrtim çështjen", thuhet në vendimin e djeshëm të KDS-së. Në pushimin e ndeshjes mes Shkumbinit dhe Besës, deputeti i Peqinit Dashnor Sula dhe drejtues të tjerë të klubit vendas shkuan në dhomat e zhveshjes së Besës. Aty pati një përplasje me Bekim Kulin, por edhe me trajnerin Daja, që në fund të ndeshjes u shoqërua për afro një orë në polici.

(s.g/a.l/BalkanWeb)



Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›