Ndalen Inter e Çelsi, përmbysin Roma e Barça
Interi dhe Çelsi kanë shkaktuar surprizat më të mëdha në ndeshjet e mbrëmshme të Ligës së Kampioneve. Zikaltërit e drejtuar nga Hoze Murinjo nuk kanë shkuar më shumë se një barazim 1-1 ndaj gjermanëve të Verder Bremen, në një ndeshje që ata e kanë dominuar, por pa arritur të marrin tre pikët. Interi ka gjetur rrugën e golit që në minutën e 13-të me anë të Maikon dhe u mendua se gjithçka do të ishte e lehtë, por Verderi nuk u dorëzua. Klaudio Pizarro goditi shtyllën në pjesën e parë, duke bërë të xhindoset Tomas Shaf në pankinë. Kjo, pasi sulmuesi peruan ishte thuajse me portën bosh. Megjithatë, Pizarro do të shënjestronte saktë në minutën e 62-të, ndonëse në atë pozicion nuk mund të gabonte. Interi pati një mundësi të mirë 6 minuta para përfundimit, por Kruz nuk arriti të devijonte topin e dhënë nga Ibrahimoviç. Ndërkohë, Çelsi nuk ka shkuar më shumë se një barazim pa gola në fushën e rumunëve të Kluzh. Ndonëse janë ekipi pretendent për të ngritur trofeun, blutë e Londrës kanë zhgënjyer përballë një skuadre që ka luajtur me shumë dëshirë. Nikolas Anelka ka gabuar në disa raste, gjë që i ka kushtuar shumë skuadrës së tij në fund.
Përmbysjet
Roma dhe Barcelona kanë arritur të përmbysin rezultatet e pjesëve të para dhe të triumfojnë në takimet respektive ndaj Bordosë dhe Shaktjorit të Donjeckut. Katalanasit kanë përsëritur atë që bënë në derbin me Espanjolin ditën e shtunë, duke shënuar dy herë me anë të Lionel Mesit në fundin e ndeshjes. Vendasit kaluan në avantazh në fund të pjesës së parë me Ilsinjon, por talenti argjentinas barazoi pak minuta para fundit pas një hutimi të mbrojtjes ukrainase. Mesi shënoi edhe golin e dytë në limitin e kohës, duke i dhënë tre pikë të tjera ekipit të tij. Ndërkohë, një përmbysje të pabesueshme ka bërë edhe Roma ndaj Bordosë. Vendasit shënuan shumë shpejt me Gurkuf, por mbetën me 10 futbollistë. Kjo bëri që verdhekuqtë e Spaletit të shënonin tre herë në pjesën e dytë, me anë të Vuçiniç dhe dy herë me Baptistën. Fitore e madhe dhe për Sportingun e Lisbonës, 2-0 përballë Bazelit, falë golave të shënuar nga Romanjoli dhe Derlei. Në "Anfiel Road", Liverpuli nuk e pati aspak të vështirë të merrte tre pikë të tjera në grupin D, duke mposhtur 3-1 PSV Eindhoven. Fitore edhe për Anorthosis dhe Atletiko Madrid.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)