Celsi kundër surprizës Kluzh, Trombeta: Sulm pa hyrë në fushë
Celsi i Skolarit do të udhëtojë për në Rumani në takimin e dytë të grupit A. Për londinezët mendohet një sfidë e lehtë, por trajneri Skolari nuk i nënvlerëson rumunët, që sipas tij, luajnë me një stil amerikano-latin.
Fitorja kundër Romës ka ngritur në maksimum moralin në kampin e rumunëve të Kluzh, që sot në mbrëmje do të presin në fushën e tyre Celsin e Skolarit. Trajneri i rumunëve, italiani Mauricio Trombeta, deklaroi se nuk ka aspak frikë nga yjet e ekipit anglez. “Ne do të sulmojmë që në dhomat e zhveshjes. Nuk do të përqendrohemi vetëm në mbrojtje apo vetëm në sulm, por do të luajmë në të gjitha mënyrat. Ndoshta duhet të kemi pak më shumë vëmendje në mbrojtje, pasi luajmë ndaj një skuadre shumë të fortë”, tha ai.
Ndërsa trajneri i Celsit Luis Felipe Skolari deklaroi se nuk është shumë i habitur nga forma e treguar nga ekipi kampion i Rumanisë. “Njoh disa portugezë, disa brazilianë apo disa argjentinas që luajnë këtu. Kjo skuadër luan me një stil tjetër nga ai që kemi ne në Angli. Kluzhi ka një stil amerikano-jugor”, u shpreh trajneri i Celsit. Skuadra londineze nuk ka pësuar asnjë humbje në kompeticionet ku merr pjesë këtë sezon. Për takimin e sotëm, Celsi nuk do të ketë të gatshëm portugezin Deko, ndërsa në sulm do të luajnë Didier Drogba dhe Nikolas Anelka. Skolari deklaroi gjithashtu se një fitore në ndeshjen e sotme do të thotë kualifikim për skuadrën e tij.
(a.s/News24/Balkanweb)