E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tare: Ju tregoj Lacion, "surprizën" e Serisë A

Nga Altin Latifi 

Të jesh drejtues i një skuadre si Lacio, në këtë periudhë është e veçantë, pasi skuadra kryeqytetase është rikthyer në majat e futbollit italian. Igli Tare, tashmë në rolin e një dirigjenti, rrëfen sekretin e bardhekaltërve. "Lacio ka një projekt të qartë, brenda 5 vjetësh të jetë në krye të Serisë A", thotë ish-kapiteni i kombëtares në një intervistë ekskluzive për "Gazetën". Te kjo skuadër ka një bomber që qhet Zarate, por për Taren "lojtari më i mirë i Serisë A për momentin është Goran Pandev".
Igli, jeni drejtues i një Lacio që po i habit të gjithë. Vendi i parë në Serinë A, si duket brenda ambientit dhe në Itali një gjë e tillë? Mos vallë borxhet e trashëguara nga koha e Kranjotit mbaruan dhe tani po duken efektet?
Jo, nuk ka lidhje fare me këtë. Duhet të dimë diçka, Lacio është një skuadër e ndërtuar me një projekt të qartë. Është ndërtuar me idenë që brenda pesë vjetësh do të jetë në ekipet kryesore të Serisë A.
Cili është roli juaj konkret në këtë Lacio, le ta quajmë të madhe për momentin?
Nuk dua të flas për vete dhe të marr merita që nuk më takojnë vetëm mua. Në këtë Lacio kanë meritë të gjithë, është një gjë e ndërtuar së bashku, ndërsa unë kam rolin tim, që e dinë të gjithë. Pra s'mund të them që tani që u bëra unë drejtues po ecin punët mirë, sepse nuk është aspak e drejtë kjo.
Keni marrë një bomber, Zarate. E kujt ishte ideja për të?
Zarate ka ardhur nga kampionati i Katarit dhe ai i është vetëofruar presidentit Lotito si futbollist. Presidenti i dha besim të plotë, e mori në skuadër. Megjithatë, duhet të them diçka: të gjithë flasin për Zaraten, por harrojnë atë që për momentin është lojtari më i mirë i Serisë A, Goran Pandev.
Kur ishit futbollist keni patur jo pak probleme me trajnerin Delio Rosi. Si janë raportet në këto momente? Mos ndoshta vendi i parë i sheshon problemet...?
Nuk ka lidhje me vendin e parë. Unë i qëndrojë pikë e presje asaj që kam thënë. Me trajnerin kam marëdhënie tepër korrekte. Unë tani jam një drejtues dhe nuk mund të mendoj më si futbollist.
Çfarë ka ndryshuar në jetën juaj tani që jeni bërë drejtues?
Gjithçka. Është çdo gjë komplet ndryshe.
Lexojmë në shtypin italian që stërviteni ende?
Po, në fakt stërvitem çdo ditë nga dy orë.
Katër pikë në dy ndeshje, si ju duk kombëtarja shqiptare?
Gjëja më pozitive që unë pashë në ato dy ndeshje ishte harmonia. Pashë një grup harmonik dhe kjo ndikoi jo vetëm në lojë, por edhe në rezultat. Megjithatë, të shohim, sepse janë dy ndeshje përpara, me Hungarinë dhe Portugalinë, që janë më vendimtare. Por, me atë frymë harmonike, unë kam besim se do t'i kalojmë me sukses.
Ndeshjet e ardhshme me Hungarinë dhe Portugalinë. Lala thotë që me portugezët mund të shkatërrohemi ose dhe të fitojmë, ndërsa Hungaria nuk duket ajo e dikurshmja. Si i shikon këto dy sfida?
Unë kam një mendim tjetër, Hungaria për mua është skuadër më e veshtirë sesa Portugalia.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›