De Jong ikën, Han mbetet pa ndihmës
TIRANE- Ndihmës trajneri i kombëtares shqiptare Teo De Jong është larguar nga kjo detyrë. Zëvendësi i Ari Han prej gati një muaj është bërë zbulues lojtarësh (skaut) për klubin holandez të Vilem II dhe kjo ka bërë që t'i japë fund kontratës me Federatën Shqiptare të Futbollit. Kjo e fundit bëri të ditur zyrtarisht se vendimi për t'u larguar është marrë nga vetë De Jong, i cili ka qenë krahu i djathtë i Han edhe në skuadra të tjera. Sa i përket pasuesit të tij, ai ende mbetet një enigmë, pasi kjo do të vendoset nga takimi që trajneri Ari Han do të ketë me presidentin Duka në Hungari. Gjithsesi, problem në gjetjen e ndihmësi është fakti se ai duhet të punojë me honorare dhe jo me një rrogë fikse. Ndërkohë, po dje, trajneri i kombëtares shqiptare ka zbuluar emrat e 22 futbollistëve që do të luajnë ndaj Hungarisë më 11 tetor dhe Portugalisë 4 ditë më vonë. Në fakt, tekniku holandez nuk ka bërë asnjë ndryshim në krahasim me ata lojtarë që ishin të grumbulluar për dy sfidat e para me Suedinë dhe Maltën. Përpos kësaj, përfaqësuesja shqiptare është goditur nga një seri dëmtimesh kohët e fundit, duke nisur nga Klodian Duro apo Edmond Kapllani, të cilët gjithsesi priten të jenë të gatshëm për më 11 tetor. Kapllani i ka kaluar plotësisht problemet e tij dhe është i gatshëm të luajë për Karlsruhen, ndërkohë që Duro vazhdon të qëndrojë jashtë. Probleme ka edhe Portugalia, e cila ka të dëmtuar 4 prej futbollistëve kryesorë, si Deko, Rikardo Karvajo, Simao dhe Manike.
(s.g/a.l/BalkanWeb)