E Shtunë, 31 Tetor 2026

Benitez ëndërron K. Ronaldon: Do ta doja përkrah Torresit

Trajneri i Liverpulit, Rafael Benitez, do të dëshironte të kishte në skuadër një prej lojtarëve të Mançester Junajtid, kundërshtarit të radhës në kampionatin anglez. Trajneri spanjoll nuk e ka fshehur simpatinë për Kristiano Ronaldon, mesfushorin që sipas tij do të ishte një titullar i pazëvendësueshëm në atë që e quan ekipi i tij ideal. Futbollisti ka shënuar 33 gola gjatë këtij sezoni dhe Benitez e kupton shumë mirë se ai do të jetë një nga rreziqet e mbrojtjes së tij në ndeshjen e sotme.

"Do të dëshiroja shumë ta kisha Kristiano Ronaldon në ekipin tim ideal dhe dyshoj se do të ulej ndonjëherë në stolin e rezervave. Nëse do të kisha një ekip ëndrrash, atëherë do të doja të ishte edhe Kristiano Ronaldo. Njerëzve do t‘u pëlqente ta shihnin atë të luante përkrah Fernando Torres dhe Stiven Xherard. Fansave i pëlqen kur shohin të luajnë lojtarë të tillë dhe për mua do të ishte kënaqësi sikur t‘i bashkoja në të njëjtën skuadër", ishte komenti i Benitez. Megjithatë, trajneri spanjoll nuk ka në plan të mbrohet vetëm nga mesfushori portugez, pasi mendon se Mançester Junajtid ka lojtarë të tjerë shumë të rrezikshëm. "Nuk kam asnjë plan të veçantë për ta ndalur atë. Ata kanë Uejn Runi, Rajan Gigs, Pol Skols e shumë të tjerë. Nëse përqendrohemi vetëm te Kristiano Ronaldo, atëherë nuk do të kontrollojmë të tjerët. Ata kanë një skuadër të mirë me lojtarë të mrekullueshëm dhe ne na duhet t‘i kontrollojmë të gjithë", vijoi ai. Benitez mendon se edhe Mançester Junajtid duhet të kujdeset për yjet e ekipit të tij, sidomos për Fernando Torres që po kalon një formë të shkëlqyer dhe që mund të shqetësojë ekipin e drejtuar nga Ferguson. "Kjo ndeshje nuk është vetëm si të mendojmë për të ndalur Ronaldon. Edhe ata padyshim duhet të mendojnë si të ndalin Torres. Ronaldo është në formë, por edhe Torres është në formë të shkëlqyer. Unë jam i kënaqur me paraqitjen e tij dhe meqë është vetëm 23 vjeç, e di që ka shumë mundësi për t‘u përmirësuar. Është një arritje të shënosh kaq shumë gola në sezonin e parë, gjë që do të thotë se është një lojtar i rëndësishëm për klubin", tha Benitez. Forma e sulmuesit kryesor të Liverpulit dhe 9 golat e shënuar në 6 ndeshjet e fundit, e kanë kthyer përsëri këtë skuadër në pretendente si në arenën ndërkombëtare, ashtu edhe në kampionat. "Kjo është një ndeshje vendimtare dhe nëse e fitojmë, do të mund t‘i afrohemi Mançesterit në renditje. Nëse mundemi, do të jetë shumë e vështirë të rikuperojmë terren ndaj skuadrave të kreut të renditjes. Por gjërat do të bëhen shumë interesante nëse fitojmë ndaj Mançesterit dhe më pas ndaj Evertonit në javën pasardhëse. E di që nuk kam fituar asnjë ndeshje kampionati ndaj Mançester Junajtid, por ne i jemi afruar shumë herë suksesit dhe jemi mundur vetëm nga gola të minutave të fundit", përfundoi Benitez.

SSSASS

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›