E Shtunë, 31 Tetor 2026

Salihi dhe Qato, donacione për viktimat e Gërdecit

Hamdi Salihi dhe Kreshnik Qato kanë qenë emrat e radhës të sportit shqiptar që kanë ofruar ndihmë financiare për familjet e Gërdecit. Sulmuesi shqiptar ka bërë të ditur se do të kalojë 1 mijë euro në llogarinë e hapur për të ndihmuar viktimat e kësaj tragjedie të rëndë, ndërsa më pas ka qenë boksieri Qato që ka konfirmuar një donacion prej 1 milion lekësh në ndihmë të familjeve që aktualisht janë pa strehë.

Salihi ka bërë të qartë se shuma prej 1 mijë eurosh nuk ishte domethënëse, por ai e cilësonte këtë si një mënyrë për t‘u qëndruar pranë familjeve që vuajtën nga kjo tragjedi. Një qëndrim i tillë u mbajt edhe nga Qato, i cili saktësoi se do të kishte një motivim më të madh në ndeshjen e radhës, duke u përpjekur që ta fitojë atë për t‘i dhënë sado pak gëzim këtyre njerëzve që aktualisht po kalonin një situatë mjaft të vështirë në jetën e tyre. "Si të gjithë shqiptarët, brenda apo jashtë Shqipërisë, edhe unë jam tronditur nga ngjarja në Gërdec, ku një numër i madh bashkatdhetarësh të mi humbën jetën apo u plagosën. Natyrisht që një ngjarje e tillë më ka prekur pamasë dhe unë ndaj me banorët e asaj zone apo të gjithë ata që humbën të dashurit e tyre, dhimbjen time, duke u shprehur secilit prej tyre, në emrin tim dhe të familjes sime, ngushëllimet më të sinqerta dhe lutjet e mia për viktimat. Ndonëse gjithçka që ne mund të bëjmë, nuk do të mund t‘ua kthejë këtyre njerëzve të afërmit e humbur në këtë tragjedi, unë kam vendosur që nga kursimet e mia personale të kontribuoj në fondin e hapur për këtë qëllim një shumë prej 1 milionë lekësh të vjetra. Ky është një kontribut modest krahasuar me përmasat e kësaj tragjedie, por unë e ndiej si detyrim moral dhe qytetar, për të qenë pranë bashkatdhetarëve të mi në këto çaste të vështira", tha ai, duke konfirmuar se në ndeshjen e radhës me 4 prill, do të kërkonte një fitore për t‘ua dedikuar pikërisht njerëzve të Gërdecit. Një ditë më parë, ishte donatori i Tiranës, Refik Halili, ai që bëri të ditur se merrte përsipër rindërtimin e tri shtëpive në fshatin Gërdec, duke ftuar edhe kolegë të tjerë të vepronin në të njëjtën mënyrë për të ndihmuar ata që vuajtën nga kjo tragjedi.

SSSASS

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›