Benitez, me ide të qarta: Maikon duhet të qëndrojë
Prej kohësh Interi ka bërë të ditur se në rast të një oferte të lartë, Maikon do të largohet nga skuadra, megjithatë trajneri Rafa Benitez e ka shprehur qartë pozicionin e tij. Drejtuesi i ri i stolit synon ta ketë në dispozicion brazilianin për sezonin e ri dhe këtë qëndrim pritet ta konfirmojë edhe në bisedat e mëvonshme me presidentin Masimo Morati, pasi zikaltrit të përfundojnë turneun në SHBA. “Natyrisht dëshiroj që Maikon të vazhdojë të luajë me Interin. Ai është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne. Gjatë sezonit të kaluar ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për skuadrën dhe ka cilësi shumë të mira në fazën sulmuese. Unë si trajner dua ta kem në skuadrën që drejtoj”, deklaroi Benitez. Ditët e ardhshme do të jenë shumë të “nxehta” për sa i takon së ardhmes së Maikon. Trajneri i Realit të Madridit, Zhoze Murinjo, vazhdon të këmbëngulë për blerjen e mbrojtësit, ndërsa edhe vetë lojtari nuk e ka fshehur dëshirën për të luajtur në “Santiago Bernabeu”, por më parë “merengues” duhet të gjejnë akordin financiar me Interin.
#