Community Shield, Junajtid sfidon Çelsin
Sot, në orën 16.00, me finalen e Community Shield (Superkupës) në Londër, hapet zyrtarisht sezoni futbollistik në Angli. Kundërshtari i çelsit, kampiones në fuqi të Premier League, do të jetë Mançester Junajtid. Blutë do të kërkojnë të konfirmojnë supremacinë në ishullin e Mbretëreshës, ndërsa sfida me “Djajtë e Kuq” do të shërbejë për t’u kthyer te fitoret. Skuadra e drejtuar nga Karlo Ançeloti duket e lodhur me humbjet gjatë kësaj faze përgatitore: 3 dështime në 4 miqësore të luajtura. Një ecuri me të cilën londinezët dhe trajneri italian nuk janë mësuar. “Duhet të rikthehemi te fitoret”, deklaroi Ançeloti, që gjatë sezonit të kaluar nisi në “Uembli” një sezon historik për çelsin: pas fitores me penallti në Community Shield, pikërisht përballë Mançester Junajtid në verën 2009, ai e mbylli sezonin duke u dhuruar bluve edhe titullin kampion dhe Kupën e Anglisë (FA Cup).
Megjithatë, çelsi do të paraqitet në këtë finale me dy mungesa të rëndësishme. Portieri çeh është i dëmtuar dhe do ta nisë takimin nga stoli i rezervave, përkrah sulmuesit Didië Drogba, që së fundmi është operuar në ije. Në anën tjetër, trajneri Ferguson nuk do të ketë në dispozicion Rio Ferdinand dhe Evra në mbrojtje, ndërsa në mesfushë mungojnë Karrik dhe Anderson. Pas dehjes dhe sjelljes skandaloze të pak netëve më parë, Uejn Runi do të aktivizohet të paktën në një pjesë loje. “Red Devils” do të hedhin në fushë, për herë të parë në tokën angleze, blerjen më të re të skuadrës, talentin meksikan Havier Hernandez. Pasi i mahniti të gjithë në Afrikën e Jugut 2010, 22-vjeçari ka realizuar edhe tri gola në po kaq miqësore me Mançesterin. Gjatë kësaj vere, në miqësoret e zhvilluara, Junajtid ka regjistruar katër fitore dhe dy humbje, megjithatë kundërshtarët ishin dukshëm më të dobët se skuadrat me të cilat ka luajtur çelsi. Merkato e bluve nuk ka rezervuar asnjë goditje të madhe, ndërsa Ançeloti e ka justifikuar këtë fakt, duke thënë se “skuadra që ka fituar gjithçka në Angli gjatë sezonit të kaluar mund ta përsërisë këtë ecuri me të njëjtët lojtarë”. Ndeshja e sotme do të shfrytëzohet për t’u dhënë hapësira disa të rinjve, mes të cilëve sulmuesi francez, Gael Kakuta, i cili është shpallur kampion i Europës për U-19. Ndërkohë, Mançester Junajtid do të hedhë në fushë mesfushorin Tom Kleverli, që pas pak ditësh do të festojë 21-vjetorin e lindjes.
Rreth objektivave të çelsit në sezonin e ri ka folur edhe sulmuesi Nikolas Anelka. Ai deklaroi: “Objektivi ynë është që gjatë këtij sezoni të triumfojnë në Champions League, megjithatë nuk do ta kemi të lehtë të fitojmë tri tituj brenda një sezoni, ashtu si Interi gjatë edicionit të kaluar”.
#