Benitez, në gjurmët e Maluda. Ofertë 10 milionë sterlina
Sipas mediave angleze, trajneri i Liverpulit, Rafa Benitez, po përgatitet për një blerje të bujshme në merkaton e verës. Objektivi i teknikut të "Reds" është mesfushori i krahut të Çelsit, Florent Maluda. Francezi ishte një prej emrave të preferuar të Benitezit gjatë verës së kaluar, por në vend të kalimit në "Anfilld", ai preferoi një marrëveshje më fitimprurëse në "Stemford Brixh". Edhe pse është blerë me shumë bujë në epokën Murinjo, 27-vjeçari nuk ka arritur të integrohet në skuadrën londineze. Futbollisti, i cili është pjesë e kombëtares franceze, së bashku me Shon Rajt-Filips, Xhuliano Beletin, Stiv Siduëll dhe Klaudio Pizaron janë lojtarët që pronari Abramoviç synon të largojë. Sipas tabloidit "The Sun", Liverpuli mund të sigurojë shërbimet e ish-lojtarit të Lionit për afro 10 milionë sterlina, 3.5 milionë më pak sesa Çelsi pagoi për mesfushorin. Nëse blen Maludanë, duket se Benitez ka ndërmend të largojë Andrij Voronin, që kërkohet nga gjermanët e Shtutgartit.