Eto‘o: Do më pëlqente të luaja në kampionatin anglez
Pasi ka kaluar një sezon të vështirë te Barcelona, ku nuk është mes lojtarëve të konfirmuar për sezonin e ardhshëm, Samuel Eto‘o deklaron se do t‘i pëlqente të luante në Angli. Edhe pse ka një mesatare të admirueshme golash, sulmuesi i kombëtares kamerunase ende nuk ka zhvilluar sezonin e tij më të mirë. Së fundmi, ai nuk është mërzitur vetëm prej vitit të dytë pa trofe me Barçën, por edhe pas sjelljes së tifozëve. Me deklaratën më të fundit, Eto‘o duket se i ka dërguar një mesazh Çelsit dhe Totenhemit, klubet e interesuara për ta afruar. "Premiershipi është një kampionat shumë i mirë", tha ai për "Sky Sports". "Liga angleze ka standard të lartë dhe do të ishte diçka fantastike të luaja aty. Do të më pëlqente të bëhesha golashënuesi më i mirë i këtij kampionati". Sipas spekulimeve nga Italia, përveç Milanit duket se edhe Juventusi është në gjurmët e kamerunasit: bardhezinjtë ofrojnë David Trezege plus para. Megjithatë, duket se nëse do vendosë të largohet nga Spanja, Eto‘o synon të luajë vetëm në Angli.