Benjamin, vizitë në Tiranë për zgjedhjet e 28 qershorit
Zoti Robert Benjamin e vizitoi Shqipërinë në janar të këtij viti. Madje ai pati një takim edhe me kryeministrin Berisha, me të cilin diskutoi përgatitjet për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit dhe qëndrimin e qeverisë për mbajtjen e një procesi të ndershëm.
Sipas burimeve zyrtare të Këshillit të Ministrave, “nga ana e tij, përfaqësuesit e NDI-së vlerësuan rolin konstruktiv që Shqipëria ka luajtur në rajon duke nënvizuar se komuniteti ndërkombëtar e vlerëson shumë këtë fakt”. Z. Benjamin theksoi se axhenda e politikës së jashtme të Shqipërisë ka qenë shumë konstruktive dhe përbën shembull për vendet e tjera të rajonit”.
Kongresisti Engëll vlerësohet nga Tirana zyrtare
Kongresisti amerikan dhe lobisti i njohur i çështjes shqiptare, Eliot Engëll, e vizitoi Tiranën zyrtare më 8-9 maj të këtij viti. Madje ai mbajti edhe një fjalim para deputetëve të Shqipërisë. Në qendër të vizitës së tij dhe të takimeve që zhvilloi me krerët e shtetit ishin zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Po ashtu, ai vizitoi edhe punimet e tunelit Rrëshen-Kalimash. Duke folur para deputetëve të Kuvendit për zgjedhjet e 28 qershorit, Engëll tha: “Kjo është një përgjegjësi e rëndësishme, është në të njëjtën kohë një mundësi e madhe”. Sipas tij, “zgjedhjet e zhvilluara mirë do t’u tregojnë Europës dhe Shteteve të Bashkuara se Shqipëria po vazhdon në rrugën e mbarë dhe se demokracia juaj është e fortë”. Kongresisti i Nju Jorkut, Eliot Engëll, ka qenë në pozicionin e vëzhguesit në zgjedhjet e 3 korrikut të vitit 2005.
Seanca para 3 korrikut 2005: A do të jenë zgjedhjet të lira dhe të ndershme?
Një seancë e ngjashme është bërë në prag të zgjedhjeve të 3 korrikut 2005. Komisioni Amerikan i Helsinkit zhvilloi më 21 mars të atij viti një seancë informuese ku kishte të ftuar panelistët: Nikolai Vulkanov, atëherë zëvendësshef i Departamentit të Zgjedhjeve te OSBE/ODIHR-i; Dikson Balei (Dickson Bailey), drejtor Projekti i IFES-it; Xhenifer Butz (Jennifer Butz), drejtori i Institutit Demokratik Kombëtar për Çështjet Ndërkombëtare (NDI) dhe asistentin e programit të Institutit Republikan Ndërkombëtar, Nesti Gjeluci. Në atë konferencë shtrohej çështja nëse zgjedhjet do të ishin të ndershme dhe të lira. Ndërsa në seancën e djeshme, në qendër të shqetësimit të Uashingtonit zyrtar, ishte nëse këto zgjedhje do të jenë sipas standardeve të OSBE-së në vendin që tashmë është anëtar i NATO-s.
5 Qershor 2009