Qeveria “Berisha” e lexon shtrembër raportin vlerësues për vizat
Qeveria shqiptare vazhdon që ta lexojë shtrembër raportin paraprak për vizat që ka përgatitur Komisioni Europian. Kryeministri, por edhe ministri i Jashtëm, Basha, premtojnë se shqiptarët do të lëvizin lirshëm në zonën “Shengen” deri në fillimin e vitit 2010. Ndërkaq, sinjalet e deritanishme të Brukselit, por edhe raportet, pohojnë se në vitin 2010 do të nisë edhe një vlerësim tjetër. Këto deklarata bëhen në një situatë kur vendi ndodhet në prag të zgjedhjeve dhe heqja e vizave ka qenë dhe mbetet një ndër premtimet kryesore të kësaj force politike. Pak ditë pasi u publikua raporti vlerësues, zoti Basha u shpreh se “ky është raporti i progresit të pamohueshëm dhe të pandalshëm të Shqipërisë drejt arritjes së objektivit madhor të qeverisë së kryeministrit Berisha. Shqiptarët: pa viza në Europë brenda vitit të parë të mandatit tonë të dytë qeverisës”. Ndërkaq, ekspertët e BE-së i rrëzuan reformat e qeverisë në tri kolona kryesore; siguria dhe dokumentet e identitetit; rendi dhe siguria publike, menaxhimi i kufijve dhe emigracioni. Notë pozitive është marrë vetëm në fushën e të drejtave të njeriut dhe marrëdhënieve me jashtë.
5 Qershor 2009