Historia misterioze e një romani
Një tjetër bestseller nga shtëpia botuese “Omsca 1”. Sapo ka dalë në qarkullim romani “Aliu dhe Ninoja” i autorit Kurban Said. Ky roman, ndoshta si asnjë tjetër i shek XX, është mbështjellë me mjegullën e misterit. “Aliu dhe Ninoja” për herë të parë është botuar në Gjermani. Dorëshkrimi i romanit ka humbur pa gjurmë, prandaj hulumtuesit e shumë vendeve vazhdojnë të vrasin mendjen se kush fshihet pas pseudonimit enigmatik, Kurban Said. “Aliu dhe Ninoja”, i cili e pa dritën e botimit në Gjermani para Luftës së Dytë Botërore, ka rezultuar një bestseller, kudo ku ai është botuar. Ngjarjet e romanit zhvillohen në kufijtë që ndajnë Lindjen me Perëndimin, në brigjet e detit Kaspik, në qytetin multietnik Baku. Aliu është një mysliman azerbajxhanas, i cili ka trashëguar nga të parë, dashurinë për stepat e paanë dhe legjendat e trimërisë. Ninoja është një vajzë shumë e bukur gjeorgjiane e besimit të krishterë, me kulture dhe ndjenjë evropiane. Duke anashkaluar kundërshtitë e familjeve të tyre, të dy të rinjtë jetojnë me kurajën e dashurisë për njëri-tjetrin, duke na dhënë një nga rrëfimet më të bukura të dashurisë në letërsinë botërore.