“Benzi” bie në Bunë, valët rrëmbejnë çiftin
07/03/2005 SHKODËR – Një autoveturë tip “Benz” ka përfunduar në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, në lumin Buna, ndërsa dy personat që ndodheshin brenda, një mashkull e një femër, kanë rënë në ujë. Deri në orët e vona të natës së kaluar, ende nuk ishin gjetur trupat e tyre, si edhe autovetura.Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20.00. Dëshmitarët, treguan se një autoveturë, ra në lumë, rreth 300 metër larg urës së Bunës. Menjëherë, në vendngjarje mbërriti policia. Pas hetimeve të para, duke ju referuar edhe dëshmive, mësohet se në autoveturë kanë qenë një mashkull e një femër, të cilët kishin ngrënë darkë së bashku në një lokal, përgjatë rrjedhës së lumit Buna. Të njëta burime të policisë, bënë të ditur se drejtues i autoveturës, është identifikuar si 43-vjeçari Preç Deda, nga Malësia e Madhe. Burimet e policisë, bënë të ditur, gjithashtu se peshkatarët e zonës kishin gjetur një xhaketë,në xhepin e së cilës ndodhej edhe një pasaportë. Sipas policisë, pasaporta e gjetur përkiste një femre me emrin Enrieta Meçe, nga Vlora. Hetimet e këkimet e policisë vazhdojnë ende.
V. Abdyli
V. Abdyli