Benzi përplas makinën e patrullës, tre policë të plagosur
Tre efektivë të policisë së rendit dhe një person tjetër kanë mbetur të plagosur në një aksident të ndodhur mbrëmjen e djeshme në unazën e qytetit të Elbasanit. Në aksidentin që ndodhi rreth orës 20:50, u përfshinë makinat tip “Benz” me targa të Shkodrës SH 7130 E, Benzi me targë Elbasani El 0217 C, dhe makina e patrullës së policisë me targë 2131. Si pasojë e përplasjes mbetën të lënduar tre punonjës të patrullës së policisë së Elbasanit, Bashkim Blloku 48 vjeç, Qani Hago 45 vjeç, Bedin Sterkaj 35 vjeç, si dhe drejtuesi i automjetit me targa të Shkodrës, Shamet Hoxhai, i cili ndodhet në gjendje të rëndë për jetën. Të plagosurit janë dërguar në Spitalin Kirurgjik të Elbasanit dhe sipas mjekëve kanë pësuar dëmtime e fraktura në pjesë të ndryshme të trupit. Sipas të dhënave paraprake rezulton se aksidenti në seri ka ndodhur si pasojë e parakalimit të gabuar të makinës tip “Benz” me targa të Shkodrës, e cila fillimisht është fërkuar me Benzin nga Elbasani, e më pas është përplasur me makinën e patrullës së policisë. F.S.