Elbasan, arrest me burg për vrasësin e kamerieres
Gjykata e Elbasanit ka dhënë masën e sigurisë së “arrestit me burg” për Mirjan Dedën, me banim në lagjen “Visarion Xhuvani”, i cili akuzohet se në bashkëpunim me një shtetas tjetër ekzekutoi pak ditë më parë kamerieren Agnesa Thomai 23 vjeçe, me banim në lagjen “5 Maji” të këtij qyteti. Ngjarja ndodhi në një lokal në afërsi të Universitetit të Elbasanit, ku 23-vjeçarja u qëllua për vdekje me armë zjarri me një plumb që e mori në pjesën e qafës dhe ndërroi jetë një javë më pas në Spitalin Kirurgjik. Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Klorinda Çela, ka lënë në fuqi kërkesën e prokurorit për akuzën e “vrasjes me dashje e kryer në bashkëpunim”. Autori e ka mohuar akuzën duke u shprehur se nuk ishte ai autori i vrasjes, por dikush tjetër, të cilin policia dhe organet e drejtësisë duhet ta zbulonin. Me gjithë argumentet e tij, trupi gjykues ka vendosur masën e sigurisë së “arrestit me burg” për Mirjan Dedën.