E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beograd, Shqipëria refuzon letrën e Jugosllavisë

Autori i Lajmit: Androkli Dralo
Beograd, 3 tetor 1958 - I ngarkuari shqiptar me punë në Beograd refuzoi të pranonte një letër të sekretariatit të Ministrisë së Jashtme Jugosllave, e cila u dorëzua në kryeqytetin jugosllav ditën e sotme, - raporton agjencia zyrtare jugosllave e lajmeve “TANJUG” në një lajm të saj. Letra shprehte shqetësimin e madh të qeverisë jugosllave për një sërë veprimesh antijugosllave nga shtypi dhe për këtë bënte përgjegjës udhëheqësit komunistë shqiptarë. Letra theksonte se këto veprime “përfaqësonin qartazi pjesën e paramenduar të fushatës së qeverisë komuniste shqiptare, e cila ishte llogaritur që të përkeqësonte marrëdhëniet mes dy vendeve fqinje dhe jepte argumente me qëllim thellimin e mëtejshëm të problemeve mes shteteve socialiste”. Në letrën e Beogradit konstatohej se organi i frontit demokratik gazeta “Bashkimi” kishte botuar më 9 shtator një artikull me titull “Politika shoviniste kombëtare e revizionistëve jugosllavë kundër shqiptarëve të Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi”. Duke akuzuar “Bashkimin” për përdorimin e shprehjeve të tilla si “xhelatë”, “kolonizatorë”, “sadistë”, “banda fashiste e Titos”, “terror fashist” etj, në letrën jugosllave theksohej se “pozicionet e shqiptarëve në Jugosllavi ishin paraqitur në mënyrë të gabuar” në artikullin e “Bashkimit” me qëllim nxitjen e tyre (shqiptarëve) kundër autoriteteve jugosllave. Letra citoi të gjitha akuzat e bëra nga “Bashkimi” kundër politikës jugosllave ndaj minoritetit shqiptar në Jugosllavi. “Akuzat janë ngritur kundër qeverisë jugosllave se gjoja ajo ka ndjekur një politikë shfarosëse ndaj grupeve etnike kombëtare dhe se zgjidhja e problemit kombëtar “nisi me krime dhe po vazhdon me krime”, se qeveria jugosllave po drejton fushatën e “persekutimeve barbare”, “operacione shtazarake” dhe “veprime të tilla të ngjashme”. Duke shtuar se ky artikull i “Bashkimit” “është vetëm një pjesë e një fushate me bazë të gjerë dhe sistematike sulmesh kundër Jugosllavisë”, letra rikujtoi si provë raportin e fundit të Sekretarit të Parë të Partisë së Punës të Shqipërisë, Enver Hoxhës, gjatë takimit plenar të mbajtur në Komitetin Qendror të PPSH-së më 13 shkurt 1957, si rezultat i të cilit qeveria jugosllave i drejtoi një notë protestë përfaqësisë diplomatike shqiptare në Beograd dy javë më vonë më 27 shkurt. Në raportin e tij Hoxha tha: “Është detyra ndërkombëtare e shtypit tonë (shqiptar) që të ndriçojë shqiptarët e Kosovës, në mënyrë që këta të fundit të mos bien pre e propagandës shoviniste antimarksiste” të komunistëve jugosllavë. “Sundimtarët jugosllavë kanë shfaqur një sjellje shoviniste dhe antimarksiste ndaj popullit të Kosovës. Një situatë e mjeruar mbizotëron në të gjithë rajonin, me udhëheqësit jugosllavë që ndjekin një politikë shkatërrimi ndaj karakterit kombëtar të këtij populli. Dhjetëra mijëra qytetarë nga Kosova janë detyruar të heqin dorë nga toka e tyre dhe të emigrojnë drejt Turqisë. Jugosllavia po përpiqet ta transformojë Kosovën në një bazë veprimi kund Shqipërisë...” Letra jugosllave përmendi gjithashtu dhe artikujt e Enver Hoxhës dhe anëtarit të Byrosë Politike, Spiro Koleka, të botuara në gazetën sovjetike “Izvestia” më 24 shtator të këtij viti. Më tej, letra zyrtare e Beogradit i kujtoi qeverisë së Shqipërisë se “metoda të tilla të ngjashme në sulmet kundër Jugosllavisë ishin përdorur gjithashtu nga shqiptarët në të shkuarën e afërt”. “Kjo fushatë në të shkuarën”, - shton letra, “siç dihet, është dënuar dhe nga organizatorët e saj, sepse ajo nuk dëmtonte vetëm Jugosllavinë, por dhe vendet, udhëheqësit e të cilave kanë lidhje me të”. Sulmet e fundit të “Bashkimit” u përshkruan në letër si “ndërhyrje në çështjet e brendshme të Jugosllavisë” dhe si një sulm drejtuar kundër integritetit të saj. Artikulli është një përpjekje për të nxitur urrejtjen mes shqiptarëve kundër një vendi fqinj dhe për të përkeqësuar marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë”, - vazhdonte më tej letra. Ajo përfundonte duke thënë: “Kjo është arsyeja përse qeveria e Jugosllavisë e sheh këtë mundësi si një tërheqje vëmendjeje për përgjegjësinë e qeverisë së Republikës Popullore të Shqipërisë ndaj një politike të tillë dhe pasojat që ajo mund të sjellë. Qeveria jugosllave tha se kjo përpjekje duhet të bashkërendojë politikën e saj ndaj Jugosllavisë në emër të fqinjësisë së mirë dhe paqes”. Marrëdhëniet e Titos me Hoxhën janë acaruar ndjeshëm kohët e fundit ndërsa udhëheqësi jugosllav nuk është i qetë as nga Bashkimi Sovjetik. Kryeministri dhe Sekretari i Parë i Partisë Komuniste Sovjetike, Nikita S. Hrushov, ka paralajmëruar me nervozizëm komunistët jugosllavë që të futen në radhë së bashku me pjesën tjetër të botës komuniste nën urdhrat e Moskës vetëm pak muaj më parë. Një artikull i “Pravdës” linte të kuptohej se ndihma sovjetike ekonomike për Jugosllavinë mund të ndërpritej nëse Titoja refuzonte që ti bashkëngjitej linjës komuniste të Moskës. Një nga arsyet e sulmeve të fundit të Hrushovit ndaj marshallit jugosllav ka qenë dhe informacioni shtesë në lidhje me takimet vendimtare mes dy udhëheqësve partiakë gjatë vjeshtës së vitit 1956 dhe verës së vitit 1957. Takimi i parë, që pati dhe një jehonë të jashtëzakonshme (pushimet e Hrushovit në Krimea) është përshkruar si një udhëtim propagandistik, ndërsa takimi i dytë që u zhvillua në Rumani, një takim që u mbajt sekret, u bë publik vetëm me anë një të një komunikate të shkurtër, që pothuajse nuk zbuloi asgjë nga përmbajtja e diskutimeve të dy liderëve. Sovjetikët nuk mund të pajtohen me politikën e mosrreshtimit të Jugosllavisë, ndërsa këta të fundit nënvizuan edhe një herë tjetër pavarësinë e tyre nga blloku. Tito po kalon një situatë aspak komode dhe në marrëdhëniet me Kinën e Kuqe. Pekini dhe Çekosllovakia kanë denoncuar me zë të lartë qëndrimin e Titos.

Ky lajm është publikuar: 18/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›