E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shqiptarët e arrestuar në Itali, transferim në atdhe”

Autori i Lajmit: Silvana Balliu
Shefi i prokurorisë së Antimafies italiane Pietro Grasso ka hedhur idenë që shqiptarët që janë arrestuar në Itali dhe vuajnë dënimin atje të transferohen në burgjet shqiptare.
Deklaratën Grasso e bëri dje në takimin në Tiranë me kryeprokuroren shqiptare, Ina Rama. Prokuroria e Përgjithshme përmes një njoftimi ka zbardhur temat e bisedës që janë diskutuar në takimin zyrtar mes Ramës dhe Grassos. Kryeprokurori i Anti-mafies Italiane Piero Grasso, njohu Kryeprokuroren Ina Rama me hapat e ndërmarra deri më tani për ratifikimin e marrëveshjes mbi ekstradimin e shtetasve, marrëveshje e nënshkruar kjo nga qeveritë respektive në dhjetor të vitit 2007.
Takimi
Nga temat e prekura në takimin mes prokurores së Përgjithshme Ina Rama dhe Prokurorit Kombëtar të Antimafia Italiane Piero Grasso ishte mundësia e transferimit të disa shtetasve të dënuar nga shteti italian, për të vuajtur dënimin e mbetur në Shqipëri, gjithçka në zbatim të të gjitha procedurave ligjore. Biseda është përqendruar në çështje konkrete në interes të dy palëve, çështje që ndiqen në mënyrë paralele nga dy prokuroritë.
Letërporositë
Mes Ramës dhe Grassos mësohet se është diskutuar dje për ekzekutimin e letërporosive respektive të të dy zyrave që janë në proces e sipër. “Një tjetër pikë e prekur në bisedën mes Kryeprokurores Ina Rama dhe Kryeprokurorit të Anti-mafia Piero Grasso, ishte dhe njohja e vendimeve penale të shtetit italian ndaj shtetasve shqiptarë”, thanë burimet zyrtare. Sipas tyre, Kryeprokurori i Antimafias Italiane Piero Grasso, i bëri të njohur Kryeprokurores së Përgjithshme, Ina Rama hapat e ndërmarra deri më tani për ratifikimin e marrëveshjes mbi ekstradimin e shtetasve, marrëveshje e nënshkruar kjo nga qeveritë respektive, qeveria shqiptare dhe ajo italiane në dhjetor të vitit 2007. “Gjatë bisedës është përforcuar vendosja e kontakteve të drejtpërdrejta mes institucioneve të prokurorisë shqiptare dhe asaj italiane me synim thellimin e bashkëpunimit mes dy institucioneve në drejtim të luftës së përbashkët ndaj krimit të organizuar dhe trafiqeve”, thanë burimet.

Ky lajm është publikuar: 18/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›