E Diel, 1 Nëntor 2026

Mustafaj: ”Po qeveriset me SMS dhe me mënyra partizançe”

Ish-ministri i Jashtëm dhe një nga figurat qendrore në Partinë Demokratike, Besnik Mustafaj, në një intervistë në emisionin Top Show, ka përmbledhur dhe diskutuar mosfunksionimin e qeverisjes dhe strukturave të Partisë Demokratike. Sipas Mustafajt, qeveria ka shkëputur lidhjet me strukturat e partisë si dhe po qeveriset me një imazh të ndërtuar keq. Mustafaj thekson se kritikat e tij kanë si qëllim shërimin e PD-së si dhe rikonfirmimin e kësaj force me një identitet të qendrës së djathtë.

Z. Mustafaj, ka pasur kritika nga deputetë të PD-së për mënyrën se si po funksionon PD-ja. Ju si i cilësoni dhe a jeni bashkuar për disa nga këto kritika që kanë bërë deputetët si Ngjela apo Bakalli?

Shumë herë. Shumë herë në formulime. Kemi të bëjmë me optika të ndryshme. Ka shumë gazetarë që thonë gjëra, me të cilat unë jam shumë dakord përsa i përket se çfarë ndodh në Partinë Demokratike, për çfarë ndodh aty apo për reformat brenda kësaj partie dhe mënyrës se si duhet të dinamizohet kjo parti. Kjo nuk do të thotë që jemi në një llogore. Ai bën punën e vet si gazetar, e sheh nga optika e tij, ndërsa unë marr produktin e tij si politikan i Partisë Demokratike. Në këtë kuptim, unë mendoj se gjërat janë shumë të dallueshme.

Por në rast se keni qenë dakord me shumë mendime të Ngjelës, çfarë ju dallon atëhere?

Qëllimi dhe arsyeja.

Që janë?

Unë i rikthehem asaj që thashë. Ngjela shpeshherë ka një motivim krejt provokativ ndaj Partisë Demokratike. Një forcë politike dëmtohet në rast se deputetët e saj janë provokativë. Unë mendoj se Ngjela nuk ka, për mendimin tim, një analizë që niset nga motivi që ta shërojë Partinë Demokratike apo ta ndihmojë ta çojë përpara. Ai e di që është jashtë Partisë Demokratike.

Kritikuat gjestin e Ngjelës që me një mikrofon shkoi dhe përgjoi. Por çfarë ju shqetësoi më shumë gjesti, apo ato që u publikuan?

Gjesti i Ngjelës.

Po pjesa tjetër ju shqetëson ndopak?

Mund të konsumohet në akte nervozizmi dhe ka mënyra të tjera analize. Kurse gjesti i një deputeti që shkon te kryetari i maxhorancës dhe në këtë formë e nxjerr bisedën në tregun mediatik, për mua është gjest shumë ...unë nuk jam dakord me atë mënyrë të foluri, por unë mund t’ju them juve që ajo është një mënyrë të foluri që nuk përjashtohet në momente nervozizmi.

Është një mënyrë të foluri, apo një mënyrë të vepruari?

Në atë rast është vetëm mënyrë të foluri. Ajo ndodhi kur u bllokua Komisioni i Ligjeve.

Pas kaq shumë vitesh nuk ka më guxim brenda Partisë Demokratike?

Pse nuk ka... përgjigjja është shumë komplekse. Një nga dëmet që mendoj unë që Berisha i ka bërë Partisë Demokratike është se...të bësh karrierë në Partinë Demokratike duhet të komunikosh direkt me të dhe duhet të kesh vlerësimin e tij. Në praktikë është parë që nuk është e vërtetë. Por kjo ide ekziston dhe shumë njerëz.??????????????? Sepse thonë se nuk bëhen dot deputetë dhe nuk ecin në karrierë mbi një ide. Unë kam thënë se PD-ja si një parti e pjekur tashmë, si parti moderne, e qendrës së djathtë, ka nevojë të zhvillojë brenda vetes një lloj mekanizmi kritik që i mungon. Kam qenë partizan i KOP-it me shpresën se këta, duke qenë të shkolluar mirë dhe profesionistë më të mirë, mendoja se do të kishin një lidhje më të dobët me pushtetin. Pra, do t’i lejonin vetes më pak konformizëm dhe oportunizëm...

Ju kanë zhgënjyer?

Në shumë aspekte po. Unë mendoj se Partia Demokratike është parti e qendrës së djathtë dhe në këto parti nuk ka fraksione siç ka te partitë e majta.

Në rast se do të rendisnit kritika konçize për Partinë Demokratike, cilat do të ishin?

Qeveria ka humbur lidhjet me partinë. Nuk është mesa duhet e përfaqësuar politikisht në qeveri. Ka një frymë ose një ndarje mes partisë dhe një tepricë për koalicionin ose një depolitizim të qeverisë. Qeveria del politike nga zgjedhjet. Së dyti, në mënyrë fare evidente, strukturat politike të Partisë Demokratike kanë humbur çdo lloj marrëdhënieje politike me qeverinë. Nuk kemi parë ne në dy vite e gjysmë asnjëherë që ministrat të mbledhin Këshillin Kombëtar dhe të japin llogari për qeverisjen, sepse kemi një program qeveritar që është miratuar nga ky Këshill Kombëtar. Pra, nuk funksionojnë strukturat.

Ka pasur akuza, kryesisht nga shtypi, përsa i përket nepotizmit. A shikoni nepotizëm në qeverinë e sotme?

Unë nepotizën nuk kam ndier dhe as nuk kam parë te mënyra e qeverisjes së Berishës.

Po përqendrim të punëve rreth një grupi?

Unë kam mendimin se rreth një grupi ndoshta jo aq sa thuhet dhe nuk jam këtu që të bëj kritikë edhe për shkrimet. Unë që kur jam larguar nga qeveria jam shprehur për nevojën për të luftuar voluntarizmin në qeverisje, në metodën e qeverisjes.

Që domethënë?

Që domethënë se në shumë raste Berisha qeveris me një voluntarizëm që pengon forcimin e institucioneve. Ndihet subjektivizmi i tij. Marrim një rast. Në rast se unë do të isha ministër i Jashtëm, nuk do të ishte hapur ambasadë në Slloveni dhe as në një vend tjetër që po hapet. Në programin qeveritar ne kemi planifikuar hapjen e dy ambasadave. Kosova natyrisht që është rast i veçantë. Në Japoni, që u hap në vitin 2006, si dhe në Indi. Çdo devijim nga ky program është subjektivizëm dhe çdokush që ia sugjeron në një bisedë Berishës, kryeministri mendon se është e drejtë. Mirë është të kesh ambasada kudo si SHBA-ja, që ka në çdo vend të botës dhe sa më prezent të jesh aq më mirë është. Por çdo ambasadë ka një kosto të caktuar dhe i përgjigjet ambicjeve ndërkombëtare që ka vendi dhe interesave. Ka qenë një përfaqësi në Slloveni që u mbyll, pastaj u hap prapë pa asnjë strategji. Solla një shembull për të treguar se çfarë kuptoj unë, pra improvizimin e vazhdueshëm. E dyta është se unë i kam thënë një herë kryeministrit se një zëvendësministër duhet ta mbajë mend që e ka takuar gjatë katër viteve një herë apo dy herë kryeministrin, ndërsa nuk ka drejtor që nuk takon.

E keni fjalën për zëvendësministren e Jashtme?

Jo, jo, për një zëvendësministër në përgjithësi. Nuk ka drejtor ndërmarrjeje shtetërore që nuk ka folur në telefon me Berishën, që nuk ka marrë sms nga Berisha, që nuk është thirrur për të kryer një detyrë i thirrur drejtpërdrejt nga kryeministri, duke tejkaluar ministrin. Këto janë metoda që për mua pengojnë forcimin e institucioneve. Së pari, shteti është hierarki dhe ka eksperiencë të njohur nga bota. Nuk mund të drejtohet partizançe.

Cilat mendoni se janë pikat e dobëta të qeverisjes?

Mendoj se ka një mospërputhje mes rezultatit dhe imazhit. Mendoj se rezultatet qeveria i ka më të mira se imazhin. Ky imazh ka ardhur nga një punë jomoderne që bëhet me komunikimin me publikun. Dhe kjo mos kujtoni se është pak për një qeveri.

Këtë e shihni si defektin më të madh?

Nuk thashë se ky është defekti më i madh, thashë që ka një diferencë mes rezultatit në praktikë dhe imazhit. Perceptimi publik për një qeverisje është jashtëzakonisht i rëndësishëm sepse i jep qeverisë energjinë pozitive për të bërë më tej reformat, t’i thellojë më tej për detyrimet që ka marrë përsipër t’i kryejë. Pra, ky për mua është një defekt me pasoja dhe po flas për defektet me pasoja. Në konceptin dhe analizën që i bëj unë qeverisjes ka shpeshherë një eklektizëm, do të thoja filozofik, dhe herë pas here të dukshëm, çka është identiteti i saj. Për mua, kur bëhet pyetja se kë përfaqëson, a përfaqëson ish-të përndjekurit, a përfaqëson ish-pronarët? Nuk është më pas 17 vitesh kjo pyetja thelbësore për identitetin e një force politike. Kush identifikohet me këtë, duhet të përcaktojë se çfarë filozofie qeverisjeje ka. E dallon një qeverisje nga qendra e majtë te qendra e djathtë. Sot ke shumë ish-të përndjekur që kanë bërë 10 vjet burg që janë socialistë shumë të bindur se ajo është filozofia e tyre më e mirë. Pjetër Arbnori është futur në burg si themelues e një partie socialdemokrate. Në këtë kuptim, pas 17 vitesh, kjo kishte kuptim në 4 ose 5 vitet e para, identiteti i partive politike në Shqipëri duhet të bëhet si në vendet e qytetëruara sepse maturia e mendimit politik avancon më shpejt se veprimi politik. Mendimi politik pengohet nga shumë faktorë ...

Meqë po flasim për filozofinë e qeverisjes, sot mendoni se po qeveriset më afër së majtës a së djathtës, duke patur parasysh filozofinë politike?

Thashë eklektike. Ka raste që rrëshqet majtas, ka raste që shkon shumë djathtas, është edhe më djathtas në krahasim si e mendoj unë PD-në si forcë e qendrës së djathtë. Prandaj e përdora termin eklektizëm. Nëse do të ishte një parti që po shkon në bllok në veprimin e saj qeverisës dhe në konceptet qeverisës a po shkon më tepër majtas? Unë do të thosha që po. Ka ligje të caktuara, deklarata të caktuara të kryeministrit që janë shumë majtas.

Në fakt po konstatoni një problem që është më i rëndësishëm se një problem i marrëdhënieve me publikun...?

Folëm për identitetin...Rezultati është një gjë që gjykohet në vazhdimësi pas shumë kohësh, pasi janë reforma. Duke qenë eklektike, krijon një konfuzion me pasoja, por rezultati për rritjen e shtetit ligjor është më i suksesshëm seç është perceptimi që kanë njerëzit në disa aspekte që kanë të bëjnë me ndërtimin e shtetit.

Një tjetër problem janë edhe disa vendime të marra për bizneset apo taksat për të mos dalë te rritja e çmimeve si ajo e bukës... Folët për rezultate, a janë këto pozitive?

Unë këtë pyetje do ta drejtoja në një kënd tjetër. Në disa raste, ligje apo nisma shumë të drejta, siç është ajo e formalizimit të ekonomisë, psh si ligji për taksat, që kishte një nen, ai për penalizimet dhe u quajt ligji i gjobave, një rast tjetër është ai i ligjit të akademisë. Ka pasur edhe disa ligje të tjera. Në këto ligje, Grupi Parlamentar e ka lënë në baltë qeverinë sepse qeveria punën e saj e kishte bërë dhe teksti nuk ishte i keq, por metoda e miratimit të ligjit ka qenë e gabuar. Kjo krijoi imazhin e një qeverie ngurruese. Vendimet ngurruese, kthimi i ligjeve nga Gjykata Kushtetuese etj., krijojnë një stepje të Grupit Parlamentar për përmirësimin e ligjeve. Nuk ka asnjë sens që ai të quhet ligji i gjobave. Nuk është ligj gjobash ai, por nga media ai ka marrë emërtimin si ligj gjobash. Unë bashkohem me këto ligje, por rezultati dhe perceptimi është më i keq se rezultati, sepse nuk e di njeri sa duhet dhe aplikimi i ligjit është minimal pastaj.

Duket se bateritë tuaja janë përqendruar te kryeministri Berisha. Po te ministri Basha?

Nuk kam pasur polemika asnjëherë me ministrin Basha. Asnjëherë.

...por keni pasur kritika?

Nuk e paskeni ndjekur mirë, me vëmendje. Nuk kam pasur kritika me ministrin Basha. Në një moment heshtjeje që u bënë 6 apo 7 javë pasi unë kisha ikur, atëhere unë kisha kërkuar që Ministria e Jashtme të ishte më dinamike. Në të gjitha vlerësimet e mia unë kam qenë vlerësues.
(Marrë me shkurtime)

22 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›