Beograd, refuzimet e para për Rezolutën kundër Kosovës
Serbia ka dorëzuar në OKB një projektrezolutë kundër Kosovës, e cila ka hasur në rezistencë nga një sërë vendesh të fuqishme, që e kanë mbështetur Republikën e re.
Një ditë më parë, projektrezoluta u refuzua nga SHBA, Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania, katër vende anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit. Rezoluta u refuzua prej tyre për faktin se kërkonte dialog mes Serbisë dhe Kosovës “për të gjitha çështjet të mbetura të hapura”, ku Serbia synonte edhe atë të statusit të Kosovës, e cila është një çështje tërësisht e mbyllur për vendet që e kanë njohur atë. Nga vendet e përhershme, anëtare të Këshillit të Sigurimit kanë mbetur vetëm Rusia dhe Kina, të cilat nuk janë shprehur kundër Rezolutës serbe. SHBA e ka kritikuar Rezolutën serbe. Shtetet e Bashkuara thanë se Serbia se nuk është përfshirë në bisedime serioze përpara hartimit dhe dërgimit të propozim rezolutës në Kombet e Bashkuara. “Mendojmë se çdo përgjigje e Asamblesë së Përgjithshme ndaj opinionit të GJND-së duhet të fokusohet në shtyrjen përpara të Kosovës e Serbisë drejt rrugës që i çon në përmbushjen e synimeve për anëtarësim në BE. Përgjigja nuk duhet t’i kthejë prapa dy vendet në çështje si ajo e statusit, që është çështje e zgjidhur. Kosova është një shtet i pavarur dhe sovran”, thuhet në deklaratën e Ambasadës së SHBA-ve në Beograd. Edhe Ministria britanike e Punëve të Jashtme e ka kritikuar paraqitjen e projektrezolutës së re serbe në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për Kosovën, duke shprehur dëshpërimin për këtë hap, për të cilin nuk u konsultua paraprakisht me Bashkimin Europian, edhe pse Beogradi ishte zotuar se do ta bëjë këtë. “Foreign Office” britanik thotë se Asambleja e Përgjithshme duhet të miratojë një rezolutë, e cila do të ishte neutrale, me qëllim që Serbia e Kosova të inkurajohen të nisin bashkëpunimin, ndërsa projektrezoluta serbe nuk shpie drejt realizimit të këtij qëllimit tonë, ndaj Britania e Madhe mund të mos e mbështesë. Ndërkohë, Bashkimi Europian ka përpiluar një rezolutë të re, e cila kërkon përfshirjen e vendimit të Hagës, se shpallja e Pavarësisë së Kosovës ishte e ligjshme. Projektrezoluta është përpiluar nga përfaqësuesja e lartë për politikën e jashtme dhe sigurinë në BE, Katerin Ashton. Në të kërkohet që Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ta pranojë vendimin e GJND-së. Rezoluta europiane inkurajon palët për bisedime, pa asnjë referencë ndaj statusit të Kosovës.