E Shtunë, 31 Tetor 2026

Theth, kërkime për çekët e zhdukur



Për një javë rresht, një grup specialistësh nga Drejtoria e Krimeve të Rënda dhe 10 alpinistë të repartit RENEA, zhvilluan kërkime në Alpet e Shqipërisë për të kërkuar gjurmët e 3 studentëve çekë, të zhdukur që prej 15 shtatorit të vitit 2001.

Operacioni një-javor është asistuar edhe nga përfaqësues të Ambasadës çeke në Tiranë, ku bënte pjesë edhe ambasadorja çeke, Marketa Fialkova. Burime nga Policia e Shtetit thanë se tashmë kërkimet janë përqendruar vetëm në Theth, duke hetuar vetëm në një drejtim; atë të vrasjes së mundshme të 3 studentëve: Mihal e Jan Pavelka, në atë kohë 23 dhe 22- vjeç, dhe Lenka Tuçkovës, 23-vjeçe. Kërkimet në malet e Thethit, kryesisht në gremina dhe shpella, janë drejtuar nga drejtori i Krimeve të Rënda, Nikolin Balaj, por u ndërprenë për shkak të kushteve atmosferike, për të vazhduar më intensivisht në ditët e ardhshme. Ura lidhëse, që pritet të zbardhë misterin e zhdukjes së 3 studentëve çekë, paraprakisht mbetet vetëm i burgosuri, Miçan çarku, i cili është dënuar për vrasjen e Mira çarkut, një javë pas zhdukjes së studentëve.
Vrasja e mësueses
Mira çarku, mësuesja e fshatit Theth në Dukagjin, që kishte shoqëruar tre çekët, u gjet e vrarë në shtëpinë e saj. Strukturat policore, pas disa muajsh hetime arritën të sigurojnë prova dhe të zbulojnë se autori i vrasjes së mësues ishte kushëriri i saj, Miçan çarku. Pikërisht, në këtë pikë grupi hetimor bën lidhjen me ngjarjen e tre studentëve dhe ka hedhur dyshime se ata mund të jenë grabitur dhe zhdukur nga Miçan çarku, i cili më pas ka vrarë kushërirën, mësuesen, që ka shoqëruar tre të zhdukurit, pasi mund të kishte dijeni për ngjarjen. Gjatë fazës së dytë të kërkimeve, të cilat pritet të nisin këto ditë nga skuadra e RENEA-s dhe oficerë të Krimeve të Rënda, do të merren deklarimet e banorëve të zonës, dëshmitarë që mund të kenë parë në atë kohë lëvizjet e studentëve të zhdukur. Gjithashtu, pritet që të rimerret në pyetje i dënuari Miçan çarku, që sipas grupit hetimor mund të hedhë dritë mbi zhdukjen e studentëve.
Zhdukja
Tre studentët çekë, vëllezërit Pavelka dhe mikja e tyre, Jenka Tuçkova, kishin mbërritur në Shqipëri në vitin 2001 për një ekspeditë malore në Alpet e Shqipërisë. Ata kanë ndaluar në Dukagjin, në zonën e Shoshit dhe të Shalës, si dhe në Theth. Në këtë zonë studentët kanë qëndruar te shtëpia e mësueses së fshatit, Mira çarku, e cila ishte edhe përkthyese, por edhe i shoqëronte gjatë ekspeditës së tyre. Pas disa ditësh ata janë larguar nga shtëpia e mësueses, në drejtim të zonës së Shalës, që është afër Thethit. Dëshmitarët kanë treguar për policinë, se ata janë parë për herë të fundit në Locaj, ku kanë marrë pjesë në një meshë në kishën e fshatit. Më pas, prej datës 15 shtator 2001, tre studentët nuk janë parë më dhe kanë humbur gjurmët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›