E Diel, 1 Nëntor 2026

I ngacmoi shoqet në lokal, tenton ta vrasë



TIRANE – Një 41-vjeçar u arrestua mbrëmjen e së enjtes nga Policia e Tiranës, me akuzën e “vrasjes me dashje” të mbetur në tentativë, ndaj një të riu. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e dy ditëve më parë në Kodër-Kamëz të kryeqytetit. Burime nga policia sqaruan se Sokol Tollia, ka qëlluar me pushkë në drejtim të makinës ku ndodhej 21-vjeçari, Derand Xhanari, me të cilin kishte pasur një konflikt në një lokal, sepse po i ngacmonte disa mikesha të tij, që ndodheshin duke pirë kafe. Pasi ka dalë nga lokali, Xhanari është rikthyer, duke parkuar makinën përpara vendit ku ishte konfliktuar me autorin. Ky i fundit ka dalë dhe ka qëlluar me pushkë drejt tij, duke tentuar që ta vrasë, por fatmirësisht plumbat kanë dëmtuar vetëm xhamat e makinës tip “Benz”, ku Derand Xhanari ndodhej bashkë me një shok.

Ekstradohet, shfrytëzoi si prostitutë të dashurën
TIRANE - Mashtroi të dashurën duke e çuar në Spanjë dhe më pas e ka nxjerrë në rrugë që të prostituojë, dje u ekstradua nga Spanja. Policia e Shtetit njoftoi se është ekstraduar nga Zyra e Interpolit, Ilia Kotiu, 39- vjeç, nga Skrapari. Ai është sjellë nga Madridi, Spanjë drejt Shqipërisë, pasi Gjykata e Beratit, më 26 shkurt 2009 e ka dënuar me 9 -vjet burg, për “shfrytëzim të prostitucionit në rrethana rënduese”. Ilia Kotiu, i njohur edhe si Artan Dautaj, është shpallur në kërkim pasi më datë 24 korrik 2001, ka marrë me vete të dashurën T. Boduri dhe është nisur me skaf nga Vlora drejt Italisë, duke shkuar më pas në Spanjë e në Francë. Atje, ai ka ushtruar dhunë psikologjike dhe fizike ndaj saj, duke e detyruar që të ushtrojë prostitucion në Spanjë dhe Francë, nga muaji korrik 2001 e në vazhdim.

Urdhër-mbrojtjeje, kërcënoi familjen e ish-të dashurës
TIRANE – Gjykata e Tiranës ka lëshuar urdhër-mbrojtje për një familje nga Vora, që kërcënohen nga ish-i dashuri i vajzës së tyre. Vendimi, sipas të cilit 31- vjeçari A.Gj. duhet të qëndrojë me tepër se 100 metra larg paditësve, është firmosur pak ditë më parë nga gjyqtari kryeqytetas, Altin Abdiu. Gjykata pohon se i padituri jetonte pranë familjes së paditësve dhe se ka pasur lidhje me vajzën e tyre 22-vjeçare. Pak kohë më parë ata ishin ndarë, ndërsa ai ka tentuar të vazhdojë lidhjen nëpërmjet dhunës e kërcënimeve të vajzës, veprime të cilat i ka kryer pranë banesës së tyre dhe te Fakulteti Ekonomik, ku ajo vazhdon studimet. Para gjykatës ai e mohoi dhunën, duke pretenduar se vajza i detyrohej 1.4 milionë lekë të vjetra, të cilat ia kishte marrë borxh, ndërsa tani, për të mos ia kthyer e kishte paditur në gjykatë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›